Sunday, December 27, 2009

Shoqëri në vend numëro..


Shqipëria dhe shoqëria e saj po e mbyll këtë vit me një situatë të zymtë diku diku sikur i është vënë një perde paqartësie, kryqëzimesh, dhe paralelizmi Aristotelian mes individit dhe shoqërisë sikur duket qarte tek një individ, Eshtë një vajzë me aftësi të kufizuara, e ulur në karriken me rrota aty tek kryqëzimi i rrugës Sami Frashëri dhe Blv Bajram Curri, bie shi, është ftohtë, ndërkohë fytyra e ngrirë e kësaj vajzë nuk thotë asgjë në dallim me lypsarët me trup fëmije, në dallim me atë zonjën mbipeshë që shoqërohet nga 3 fëmijët e saj tek rruga Dëshmorët e 4 Shkurtit aty para Pastiçerisë franceze të cilës po nuk i fale para nuk do të hezitojë të të ofendojë me fjalorin e saj vulgar. Kjo vajzë duket se është aty pa qenë aty, ka një shikim të ngrirë i cili sikur është ndalur diku, jo nuk tregon moskokëçarje, as mëshirë, e megjithatë sikur është ndalur në një zero, po mos e dija që në fakt nuk ka ngrirë, do shtoja se shikimi i saj është pikërisht i akullt.. ajo nuk do tia dijë as për kuti, as për Kopenhagen dhe përpjekjet e udhëheqësve botërore në lidhje me mos arritjen e një marrëveshjeje për reduktimin e gazit te karbonit në atmosferë, nuk do tia dijë as për faktin se kur u mblodhën këta lider për të zgjidhur krizën financiare që preku gjithe globin marrëveshja u gjet me lehtësi, kjo vajzë nuk do tia dijë se dhe kryeministri ynë ishte i pranishëm atje dhe se në fakt për ne në Shqipëri më shumë bëri lajm premtimi i Obamës për të vizituar Shqipërinë sesa vetë rezultati Kopenhagas. Kjo vajzë nuk do tia dijë as se megjithëse ne Shqiptarëve nuk na u liberalizuan vizat po shohim në media reklamat e qeverisë për liberalizimin e tyre. Nuk do tia dijë se në një ndër takimët e fundit me një promovues të huaj për Shqipërinë ku ministrit iu kërkua të nderonte me pjesëmarrjen e tij një aktivitet për Shqipërinë në Hollandë ministri i kulturës u shpreh se nuk ishte roli i tij ti bente marketing Shqipërisë, kjo vajzë nuk do tia dijë se ky vit po mbyllet duke parë si më aktive ministrinë e Integrimit dhe ate të punëve të jashtme dhe duke mos dëgjuar as dhe njëherë zerin e Ministrisë së punës, duke u ndalur këtu në fakt kam përshtypjen se emrat që kalojnë në këtë Ministri janë më të panjohurit thua ti se në këtë vend nuk punohet.
Diçka më thotë se ajo nuk do tia dijë as se jemi në prag krishtlindjesh, as se në Tiranë sapo u hap një qendër tjetër komerciale me dyqane tepër luksoze por pa tualete, nuk i intereson as niveli i lartë i muzikes së kopjuar tek festivali i Këngës Magjike, as reklamat qesharake të kompanive telefonike ku paturpësisht në njërën ndër to na mësohet masivisht si mund të korruptojmë një rezultat. Por për një arsye që as vetë nuk e di më duket se shikimi i akullt i kësaj vajze qe sigurisht nuk i kalon të 25-tat na sfidon, vallë çfarë duhet të ndodhë që ajo të veshë me një emocion shikimin e saj ..apo ka nje paralelizëm me vetë ne Shqiptarët që jemi lodhur se shokuari, në realitet ka një të vërtëtë të hidhur, shumë te hidhur që na paralelizon vetë ne ne lidhje me qenien e kësaj vajze të re, këta njerëz ne shoqërinë tonë quhen njerëz handikapë.. mua më duket e tillë vete shoqëria jonë, mos vallë ka ardhur koha te thërrasim vetë veten dhe këta njerëz me emrin ‘njerëz me aftësi të kufizuara’ , mbase në atë moment do kuptonim se të qenit i tillë dhe ne si shoqëri nuk do te thoshte se nuk bëjme dot asgjë.. se ka shumë gjëra qe mund të bënim.
Mbase atëherë do kuptonim se për tu futur në Be për të pasur liberalizim vizash nuk mjafton lypësaria e marrëdhënieve diplomatike në korridoret e Brukselit, mbase atëherë do kuptonim se Ministri i Kulturës duhet të ketë të paktën nje skript për punën që i takon, mbase atëherë do dënonim këta prindër që përdorin fëmijët për të lypur rrugëve, e mbase atëherë do dinim të kërkonim llogari për ministritë fantazmë, për plagjiaturen në të ashtuquajturin art shqiptar, dhe vetë gjymtyrët e që bëjnë të mundur funksionimin e ketij shteti do fillonin të njihnin fjalën afat kohor!

No comments:

Post a Comment