Tuesday, May 11, 2010

Një popull JETIM

Kur dashuria për pushtet tejkalon kufijtë e asaj që është e mundur sigurisht që përplasjet janë të paevitueshme. Sigurisht që do të shohim protesta, greva, ironira zëdhënësish, dhe ja vjen nje lojë shahu ku ushtaret na janë bërë mbretër dhe kërkojnë të hanë njëri tjetrin.
Si arritëm deri këtu.. fenomenet e njohura tashmë Berisha, Nano, Rama, nuk janë veçse tregues se jetojmë akoma me të kaluaren, jetojmë akoma me fantazmën diktatoriale të komunizmit fatkeq, jetojmë akoma me gjenealogjine e nderprere të mbretërisë së Zogut kjo thjesht sepse mungesa e traditës për një kulturë demokratike ku rotacioni është fjalëkyç si dhe bllokimi i trendit që mund të çonte pikërisht në instalimin e kësaj të fundit janë bërë traditë në vetvete.
Kështu do të kisha përqafuar me shumë kënaqësi hapjen e kutive, pse jo dhe grevën që po zhvillohet aktualisht nëse nuk do të ishin ngrënë hapat e ndërmjetme të cilat bëjnë që sot kjo e fundit pra greva të duket një formë radikale e ushtrimit të mjeteve demokratike, por si mund ta bëj këtë kur vete PS-ja në zgjedhjet e saj të fundit brenda saj tregoi se fjala demokraci nuk bën pjesë në fjalorin e saj. Si mundet që të besojmë se demokracinë do e vleresojmë me komshijtë në lagje, ndërkohe që atë nuk e vlersojmë në vetë familjen tonë.
E njëjta gje vlen dhe për kryetarin e PD-se, nëse standarti i rotacionit brenda PD-së do të ishte vendosur që në momentin e parë kur PD humbi zgjedhjet sigurisht që sot nuk do të ishim këtu. Sigurisht që sot do të mbështesja qeverine aktuale. A ka sot qoftë dhe një Shqiptar që mund të shohë një lider tjetër brenda PD-së ? Mos vallë vetë ne shqiptarët kemi nevoje për një paternalizëm të tillë, dhe duhet të na adoptoje pikërisht një lider? Por cilat janë pasojat e kësaj praktike:
1- Shembulli Paternalist që përçon vete aktualiteti i lidershipit.
Ai është babai i të gjithëve, ose të paktën I shumicës zyrtare, ka gjithmonë të drejtë, kushtetuta ndryshohet sipas interesave , është lider i pranishëm prej më shumë 15 vjetësh, na është futur në shtëpi, në shkolla, në rruge, do e shohim në çdo edicion informativ dhe sigurisht që do e duam dhe do e urrejmë.
2- Vënia në hije e atyre që mund të kishin një potencialitet të funksiononin ndryshe. Sërish ata sado të mundohen të tregojnë idetë dhe argumentet e tyre në daljet publike në fakt në gjuhën që përdorin nuk janë veçse radio të prishura të vete dialogut politik që zhvillojnë liderat e tyre respektive. Kështu nuk është e habitshme nëse futen si engjëj e dalin si djaj ndërkohë qe ngjisin në shkallet pranë strukturave të larta të këtyre partive.
3- Konsumimi i figurave politike deri aty ku kthehen në të urryer nga një shumicë e vetë popullit të tyre si dhe në Zotër për një pakicë tjeter (shembull: Admirimi i akomshëm ndaj diktatorit Hoxha).
4. Vendosja në kabinetet qeverisëse në bazë të kriterit të qenit besnik e të bindur e aspak në bazë të meritokracisë. Efekti domino ne administraten publike do të arrije deri tek nëpunësit më të thjeshtë fakte këto që janë dëshmuar në sa e sa raporte. Ky efekt kalon më tej tek vetë mentaliteti I një kombi të tërë ku pretendohet se dhe në punësimin në privat zhvillohet e njëjta praktikë. Një kontaminim ky që kalon cdo cak.

5. Një popull që nuk beson më tek politika e tek politikanët, një brez i ri që i injoron komplet ata, e një skepticizëm ndaj vetë politikës ku cdo politikan demonizohet.


Dhe ja ku jemi tek ndarja e pushteteve, më në fund shohim se qeveria respekton kushtetutën, respekton gjykatën duke na berë të njohur se kemi arritur një standart. Por vetë ky konstatim bashkë me emërtimin e akomshëm të demokracise hibride, ecën paralel me atë energjinë që transformohet por nuk zhduket dot, kështu është arritur një standart ose supozojmë se është arritur një i tillë bashkë me mungesën e standarteve të vetë mjeteve, më këtë nënkuptoj pikërisht klasën politike shqiptare, të majtët që besojnë se janë të tillë e të djathtët që kanë po të njëjtin besim. Kështu sërish me standartet lind pyetja: Po sikur të mos ekzistonte BE-ja cila do ishte kryefjala e diskurseve politike qoftë për grevën e qoftë për moshapjen e kutive per hir te standarteve?! Pyetja tjeter që lind është vallë hapja e kutive a do të ndëshkonte realisht ata qe thyen ligjin? Në fund të fundit përse do të shërbente hapja e kutive nëse nuk do të penalizoheshin pikërisht ata që presupozohet se manipuluan rezultatet në KZAZ-të e pretenduara? A do të thotë kjo se pas hapjes së tyre PS-ja do te ftonte sërish gjyqësorin në mes për ndëshkimin autorëve përgjegjes?A mundet qe PS të arrijë qëllimet e saj duke lozur koka-fshehtas me insititucionet herë me parlamentin e herë me gjyqsorin?! Po në fund të fundit si mund të krijohet traditë transparenca ndaj votës nëse pas aktit te hapjes së kutive nuk ka një mekanizem që do të gdhendet qartë në kushtetutë ku mjetet për mbrojtjen e votës garantohen me nene të posaçme meqenëse ligji aktual mund të lejojë hapsira interpretimi.
Një detaj tjetër që karakterizon këtë greve dhe pretendimet e saj, janë pikërisht dekoret e problemeve reale të kësaj shoqërie, papunësia, rritja e cmimeve, heqja nga puna për motive politike thua ti se në këtë mënyrë legjitimimi i kësaj greve bëhet më real, por ajo që është më e rëndësishme është se pikërisht greva në vetvete po bëhet pengesë e trajtimeve të këtyre problemeve reale. Thuajse një vit pa opozitë në parlamentin shqiptar është legjitimuar braktisja e interesave të vetë votuesve të PS-së dhe pse jo nëse duam të besojmë në fisnikërinë e këtyre deputetëve, interesat e të gjithë popullit. Por cila duhet te jete zgjidhja e kesaj krize? E vetmja zgjidhje do te ishte pavarësimi i kesaj shoqërie nga paternalistët që na rrethojnë, nga vetë Berisha, Rama, tëgjithe drejtuesit e partive që humbën zgjedhjet dhe reformimi i partive brenda tyre, çdo zgjidhje tjetër është thjesht një paracetamol që do të hiqte dhimbjen e momentit.
Ndërkohë vijoni të intimidoni gazetarët në veçanti në debatet direkte dhe në kanalet televizive që mbajnë firmën tuaj, sigurisht që ngjallni dhe me shume përcmim. Edhe kauza më fisnike për të cilën mund të bëhet greve ure nëse ka një lider të tillë si Zoti Rama e bën vetë grevën të pabesueshme në qëllimin e saj! Mbase do besonim më shume nese do te ishte një figurë tjetër në atë pozicion.. deri atëherë duhet të jemi pastruar nga pronaret e partive, por për të arritur këtë standart nuk do na ndihmoje BE-ja. Kështu pra hapini kutite ose mos i hapni ato! Mbase tashmë vetë populli e ka kuptuar që është jetim dhe nuk do tia dijë as për grevat, as për protestat e as për festat që ju marketoni.