Monday, October 26, 2009

Pafundësi e kufizuar



Jeta është herë lum

herë rivierë

herë det

herë oqean

por mbi të gjitha është një moment...

një moment i shkurtër..


.. një moment i gjatë..

Thursday, October 15, 2009

Deliri i politikës shqiptare

Nuk kam njohur njeri më punëtor e më të drejtë sesa babai im. E megjithatë më kujtohet kaq mirë periudha e 96-ës ku po lulëzonin piramidat financiare shqiptare, me kujtohet sesi babai im habitej me te afërmit e mi qe ”investonin” tek Xhaverri, Sudja, etj., dhe që pas një muaji merrnin nga 50% deri në 100% të shumës së stivosur në këto pseudo-institucione financiare. Kjo ishte tema e vetme e bisedimeve familjare të afërmit që i thoshin babait:

Po ti pse nuk i ke futur lekët aty, unë dalëngadalë do ble shtëpi, por babai im besonte se ishte vetëm puna ajo që të bën të fitosh para, dhe megjithëse realiteti moral ndaj asaj që quhet relacion punë-para po përmbysej sërish, babai im nuk dorëzohej dhe nuk i fuste paratë në këto gangrena financiare. Por ja që më në fund ose më saktë para fundit të fundit, deliri kishte kaluar caqet dhe të gjithë po ushtronin trysni ndaj babait tim që dhe ai t’i fuste ato pak milionë lekë që kishte në këto “banka”. Më në fund kjo ndodhi, dhe pikërisht besoj se babai im ishte ndër të fundit e mohikanëve të asaj kohe, ishte pikërisht ndër ata që humbën me H të madhe.


Ne fakt, kjo shoqëri e sotme shqiptare, gjatë tranzicionit të pafundmë 20-vjeçar, ka një detaj që e ka shoqëruar në mënyrë konstante. Ky detaj e ka emrin shkrirja mes asaj që quhet vlere dhe antivlerë. Një miksim i çuditshëm, shumë herë më shumë i pakuptueshëm sesa i kuptueshëm, pikërisht sepse ky detaj ka veshur më së miri ata që sot përfshihen në këtë klasë politike. Një makiavelizëm i pafund që duket sikur është lexuar më së miri nga liderët tanë.

Kështu nuk arrij të kuptoj mishmashin e krizës së padeklaruar në PS, kur them të padeklaruar nënkuptoj mënyrën se si funksionon ky institucion politik, kjo sepse ndërkohë që kemi një kod zgjedhor të sugjeruar nga vetë kjo forcë politike ku qartazi shkruhet se mund të kërkohet pavlefshmëria e zgjedhjeve, përkatësisht Neni 160 pika 2,3,4:
2. “Subjektet zgjedhore, brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit nga KQZ-ja ose, sipas rastit, KZAZ-ja, kanë të drejtë të kërkojnë në KQZ shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi.
3. Kërkesa për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve duhet të përmbajë shkaqet ligjore, përshkrimin e rasteve të shkeljeve dhe arsyetimin e detajuar për pasojën e tyre.”

Opozita shqiptare ka zgjedhur bojkotin me arsyetimin e moshapjes së disa kutive të votave të shqiptarëve që mbahen me të padrejtë të hapura të paktën sipas tyre. Por a është bojkoti zgjedhja e duhur, a është ky reagim politik mënyra e duhur për të bërë opozitë? Ajo që është më revoltuese, është se pikërisht kjo parti që pretendon se lufton për votat e shqiptarëve që ato të lexohen, në zgjedhjet për kryetarin e “ri“ të saj, i hodhi poshtë të gjitha këto standarde. Dhe shifra 93% u duk se ishte perdja më e qartë që na lidh me mentalitetin e autarkisë. Me mentalitetin e sistemeve politike më të prapambetura në botë. Jam e sigurt që ky detaj që vetëm i tillë nuk është, në lidhje me demokratizimin e PS-së është vënë re nga shumë, por nuk është ky detaj që më shqetëson aq sa me bën të tillë detaji plotësues, e thënë më qartë mbështetja e verbër që po i japin kësaj praktike figura të njohura të skenës publike shqiptare. Përmend këtu ish-presidentët, përkatësisht Mejdani e Moisiu, e pse jo dhe mbështetja Zapatteriane matanë Mesdheut. Përmend këtu dhe ata që pretendojnë se janë e ardhmja e standardeve të reja në politikën Shqiptare si rasti i G99-ës.
Sërish filozofia e dekorit plotësues mbështetës është bardh e zi. Domethënë meqenëse jemi kundër do të përqafojmë aleatin tonë të tej mëkatues vetëm e vetëm se dhe ai është kundër.
Ky fenomen pseudoidealist që sërish vetëm idealist nuk është, po krijon dy pasoja shumë të thella. E para është se vetë opozita po bëhet qesharake, dhe e dyta është se nuk po bëhet Opozitë, efekti kryesor është se tani pozita mund të hedhë valle, riciklimi i figurave politike që sigurisht nuk duheshin të ishin pjesë e asaj qeverie, tanimë nuk përbën problematikë për PS-në. E mbi të gjitha ndryshimi me politikën e kalbur aq shumë të reklamuar nga PS-ja është bërë pjesë e ekosistemit të vetë kësaj politike të kalbur. Në realitet, përtej së djathtës e të majtës po shkon në një humnerë reale, ku humbësi më i madh do të jetë vetë kjo parti. Në një vend si i yni, ky lloj fenomeni po bëhet traditë dhe aty ku ka traditë negative nuk mund të pritet përparim apo progres. Në fakt, kjo traditë është pikërisht miksimi i çuditshëm që ndërkohë që më lart e quaja një përzierje e vlerave me antivlerat tani po merr formën e pastër e puro të antivlerave. Pasojat e tyre do t’i ndjejmë më shumë te e ardhmja e Shqipërisë edhe pse jo G99-iste!

Sunday, October 11, 2009

lotet


i urrej lotët

sepse më xhveshin

... duan njëri tjetrin

nuk vetfshihen..

kështu duhen tharë

kërkojne miq përballe teje

janë te pamëshirshëm

të bëjnë të dorëzohesh

janë tradhëtarë..

Wednesday, October 7, 2009

Made In Albania


Në këtë mal bombardues nga lajmet pa lajme që na servilen, bëra një dietë le të themi pikërisht nga bombardimet mediatike, jo nuk shkova për pushime, nuk u largova nga Tirana, thjesht TV-ja mbeti i pa ndezur për plot dy javë të tëra dhe mënjanova po ashtu dhe shtypin e shkruar. Nuk e di në ishte hapja e ndonjë universiteti planetar apo galaktik, nuk e di në ishte beteja pa betejë brenda PS-së, sikurse lufta pa luftë jashtë saj, ku shohim bojkote dhe nuk shohim kërkesë pavlefshmërie zgjedhjesh, nuk e di në ishte prania e cinikëve të përjetshëm tek opinionet televizive që filluan të përhapen si kërpudha nga një kanal në tjetrin por di që për plot dy javë të tëra, bëra një test në veten time pikërisht sepse po më dukej se gjithnjë e më shumë pasqyrimi mediatik ishte larg realitetit të përditshëm ku jetojmë.
Por tani pas dy javësh regjimi mediatik, vëmendja ime u përqendrua tek këto të parëndësishmet…tek qesja e plehrave që komshia lë para derës e ku unë ia ndjej erën atyre sa herë që hap derën time, tek ata adoleshentët që qeshin sepse të qëlluan me një kërcell misri pas koke, tek shpejtësia qartësisht mbi 80 km në orë në mes të qytetit, tek dyqanxhesha që i servir para meje një djaloshi të bukur që në fakt ishte në radhë pas meje. Këtu shtoj dhe atë shitësin e mishit në pjesën gjumashe të Bllokut që e ka të varur atë kofshën e mishit në grepin gjigand, e vetë ulet në shkallët e dyqanit, ndërkohë që temperaturat janë akoma rreth 30 gradë. Pikërisht në këto të parëndësishmet bën pjesë dhe ai pseudo artizani që më montoi dollapin e rrobave dhe që për një orë mori 4000 lekë (të reja kuptohet), e që më bëri të mendoja se në fakt ai paguhej shumë herë më mirë se unë që përdor më shumë trurin, e që të nesërmen, po këtij dollapi i ranë menteshat dhe desh pësuam një aksident real në shtëpi. Tek këto të parëndësishmet bën pjesë dhe montimi i kondicionerit i cili sërish kushtoi më shumë së 7000 lekë të reja, fillova të mendoj se mbase duhet të bëj një kurs për teknikë kondicionerësh, eh ashtu pa dashje…sërish po mendoja se në shoqërinë tonë, truri nuk vlen asgjë… Dhe ndërkohë kam parasysh ofertën e fundit të bërë nga alb telekom për më pak së 1000 lekë në muaj për internetin, ata të falin dhe dy muaj ashtu sikurse të falin dhe instalimin, por ja që megjithëse oferta ishte mes 21 dhe 31 tetorit, tani që jemi më 29 dhe do gdhihemi më 30, kam parasysh se megjithëse bëra një kërkesë për nr. fiks më dt. 22, ata të Alb Telekomit akoma nuk janë zgjuar…u pa puna iku dhe kjo ofertë…mbase do më telefonojnë të hënën për ta instaluar atë, por ja që unë nuk do jem më e interesuar.
Por, ndër këto të pa rëndësishmet, bën pjesë dhe fakti që për të tretën herë zhvillova një takim pune më personin e gabuar…për të tretën herë radhazi brenda një periudhë 6 mujorë, personi në postin në fjalë pushohet nga puna. Nuk bëhet fjalë për një biznes të parëndësishëm, përkundrazi pa dashje pyes se si është e mundur që të shkarkohen kaq lehtë nga puna këta punonjës…tek ajo zonja në rrugë që vijon të më bekojë duke pritur t’i fal ndonjë monedhë por që më mallkon sapo kaloj hapësirën 20 cm.
Sërish tek këto të parëndësishmet futet dhe faqja zyrtare e MOI (Ministrisë Brendshme) që është akoma nën ndërtim, natyrshëm më kujtohet Luigji i 14-të dhe dekorimet a la baroque virtuale që ministri i ri i brendshëm mbase ka ndërmend të bëjë, ndërkohë sondazhi i javës tek dritarja e ministrisë se Integrimit është nëse mendoni se presidenca suedeze do ta shqyrtojë brenda këtij viti kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE? Dhe opsionet janë: Po, jo dhe nuk e di?! Kërkoj të mendoj kush mund të jetë hartuesi i një sondazhi të tillë, mos vallë ministria e Integrimit e pret përgjigjen nga ne?

Tek këto të parëndësishmet bën pjesë dhe faqja zyrtare e Bankës së Shqipërisë që në adresarin e saj të zyrave qendrore të bankave në Shqipëri ka mbi 30 për qind të adresave të pasakta. Tek këto të parëndësishmet futet dhe faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës ku për të bërë një kërkesë online lexon « mbimri» e jo mbiemri lë mënjanë vetë hartën ë Tiranës që ka mbi 10 vjet që nuk është rifreskuar. Tek këto të parëndësishmet bëjnë pjesë dhe pushuesit që erdhën të lodhur nga pushimet të cilët gati gati sa filluan të më bëjnë të kem mëshirë për ta. Për fat të keq, të gjitha këto detaje sot klasifikohen të parëndësishme por pikërisht ky cilësim i tillë e ka emrin Made in Albania.
Tirana Observer 6/10/2009