Friday, June 19, 2015

Kur protesta e votës më në fund çertefikohet

Kjo fushatë zgjedhore edhe njëherë bëri që të nxjerrin kthetrat partitë duke vulosur sërish divorcin me shumicën e shtetasve të vet. Nga njëra anë kishim vonesat e deklarimit të kandidatëve duke thyer qartë e pastër ligjin, nga ana tjetër kishim daljen shtatanike në fushatë duke thyer sërish ligjin. Pati sërish parodi tragjikomike ku kryeministri i vendit shantazhon hapur elektoratin se nëse nuk votohet aleanca e tij nuk do të ketë bashkëpunim, edhe pse buxhetin e qeverisë e ushqen pikërisht taksa e shumë qytetarëve që shantazhohen nga ai. Pati sërish mbulime mediatike të pushtuara nga anësitë partiake, sikurse vetë media pranonte hapur reportazhet e montuara nga stafet e kandidatëve. Pati sërish programe plot premtime ku njerëzia me shumë gjasa dyshoi nëse bëhej fjalë për zjedhje të përgjithshme apo lokale. Pati shpenzime marramendëse dhe premtime përrallash anipse borxhi publik tejkalon tashmë 71% e GDP-së dhe pabarazia sociale ka arritur kufijtë e paimagjinueshëm. Por pati dhe deklarimin e kandidatit të pavarur për Tiranën Gjergj Bojaxhi, një risi, e cila më e pakta ndikoi në uljen e temperaturës agresive elektorale të parë deri tani.
Ndryshe nga të tjerat, kjo fushatë intensifikoi diskursin kundër kriminelëve që kanë zaptuar politikën. Vetëm se ky diskurs u bë në mënyrë ishullore, diku një deklaratë e përfaqësisë së BE-së, diku një deklaratë e ambasadorit të SHBA-së. Ajo e BE-së e shpëlau mirë gojën, edhe pse kriminelët kandidatë të zgjedhjeve lokale nuk janë veçse nënprodukt i zgjedhjeve të 2013, zgjedhje këto ku elektorati u ble me shumicë në zona të caktuara. Zgjedhje këto të fundit ku BE-ja, kaq e lodhur me nxënësin ngelës Shqipëri, u gëzua më në fund meqë pati vetëm një të vrarë dhe pati rotacion edhe pse ky i fundit ishte i pjesshëm. Katërfishimi i LSI-së në mandate nuk u bëri përshtypje. Edhe blerja e votës, me shumë gjasa, do t’u jetë shkruar si shënim diku nga fundi i raportimeve të OSCE-ODHIR.Shkruaj se e shpëlau mirë gojën BE-ja, pasi fillimisht i kërcënoi partitë se do të publikonte emrat e kandidatëve të inkriminuar, nëse partitë nuk do merrnin masa. Realisht kjo deklaratë u sfumua dhe u mjaftua me një vizitë në një gjimnaz të Tiranës ku ju sugjerua nxënësve t’i bënin kërkim në google kandidatët. Me pak fjalë përfaqësuesja e BE-së u tërhoq nga premtimi paraprak. Së fundmi, me vizitën e saj në Shkodër ambasadorja e BE-së artikuloi thirrjen “Mos e shisni votën”, thua se shumë nga ata që e shesin sot votën, nuk i blejnë ushqimet me listë, që janë shëndoshë si molla e nuk kanë nevojë për ilaçe; shumë nga ata nuk janë të papunë prej vitesh, shumë nga ata nuk bëjnë pjesë tek ajo pjesë e shoqërisë që jeton nën minimumin jetik.E së fundmi mbase shumë nga ata nuk e dinë se një pjese të mirë të politikës së sotme i intereson marrëdhënia e varësisë me elektoratin, kjo pasi sa më i pazhvilluar ekonomikisht ai, aq më lehtë e lirë blihen votat.
Nga ana tjetër kjo fushatë u shoqërua me mediokritetin e kandidatëve, të cilët u përqafuan me “popullin” dhe zbritën t’i takonin (duke i seleksionuar).Edhe kësaj radhe u premtua shumë, mbase më shumë se kurrë më parë. Për shembull, dikush do të rregullonte Tiranën duke u shoqëruar nga kryebashkiaku më i dobët i Tiranës, i cili sapo e vulosi fundin e mandatit si kryebashkiak duke dhënë leje ndërtimi mbi një ndër vilat historike të Tiranës. Kandidati gjinekolog përveçse tregoi mungesë totale etike, premtoi se do të ulte taksat (dikush duhejt t’i bënte një trajnim që të bënte dallimin mes zgjedhjeve për qeverisje qendrore dhe atyre lokale). Po ashtu ai do të vijonte planet e kryebashkiakut pa krye.
Dikush tjetër pasi kishte zbuluar 100 liqenet e Tiranës, po ashtu premtoi se do të decentralizonte Tiranën e madhe në lidhje me kanalizimet dhe vaditjet, edhe pse në stadin e korrupsionit sistemik ku jemi, ky hap mund të intensifikonte praktikat korruptive. Po ashtu ai premtoi se do të ushqente të pangrënët duke aplikuar modelin francez të bashkëpunimit me supermarketet, edhe pse në kontekstin tonë, këto të fundit, me shumë gjasa, i riprintojnë datat e skadencës me muaj pas afatit real. Po ashtu ky i liqeneve, dënoi betonizimin e krijuar nga kryebashkiaku aktual, por bekoi performancën ramiste si një ushtar i bindur.
Këto zgjedhje me programe të paprogramuara, me shumë kandidate të inkriminuar, me shprehje të mekura të disa prej atyre institucioneve ndërkombëtare që duket sikur na e duan të mirën, kanë nismën “Ne, Tirana” me kandidatin Gjergj Bojaxhiu si risi. Shumë dyshohet akoma ndaj kësaj nisme, kjo sepse dëmi më i madh i politikës së deritanishme eshte vrasja e shpresës së qytetarëve të saj. Është pikërisht mosbesimi, i cili në këto njëzet e pesë vjet postkomunizëm sikur na është infiltruar në ADN, e shume prej nesh shohin vetëm braktisjen e këtij vendi si zgjidhje. Ka dhe nga ata që pritshmëritë i kishin shumë të larta dhe nuk panë shumë premtime fushate tek Bojaxhiu. Ka dhe nga ata që do të kishin dashur që kjo nismë të ishte bërë si e prerë me gërshëre sipas idesë së një lëvizjeje popullore, por me shumë gjasa nuk janë të vetëdijshëm për kontekstin ku ndodhemi. Ka dhe nga ata që nuk janë kundër, por ndihen se ju ikën vota bosh po ia dhanë.
Edhe unë, do kisha preferuar që kandidati Bojaxhi të mos dilte vetëm dy muaj para zgjedhjesh. Do të kisha preferuar që shumë nga ata që sot jane shtylla kryesore e mbështetjes së tij dhe dikur ishin pjesë e administratës publike të kishin shprehur publikisht që atëhere arsyet e largimit të tyre nga puna duke qenë se ajo ishte motivuar nga cënimi I integritetit të tyre. Edhe unë do të kisha dashur që kjo lëvizje të kishte qenë disi më organike e pse jo dhe me një linjë të qarte ideologjike. Megjithatë konteksti shqiptar na ka konfirmuar disa herë se nuk mund të jemi linear ne progresin tonë si shoqëeri. Nuk jam e sigurt se nëse ky grupim nuk do kishte vepruar në dinamikën e zgjedhur qoftë me ndryshimet e kodit zgjedhor për kandidatët e pavarur qoftë me baltosjen si sport kombëtar se sot do tia kishte arritur të ndikonte kaq shumë ne temperaturën elektorale. Kjo jo vetëm me ndikimin e përzgjedhjes se kandidatëve për Tiranën nga koalicionet e mëdha, por dhe nga vetë transformimi dhe artikulimi i çështjeve problematike nga këta të fundit pas denoncimit te marredhenieve klienteliste nga Bojaxhi. Unë e di që me shumë gjasa Bojaxhiu nuk fiton, por përballë shantazheve te kapoministrit, përballë blerjes së votës nga partitë e, më së fundi, blerjen e të rinjve me i-phonat e loguar si të LSI-së, votës që katranosa e zhvleftësova në 2013, preferoj t’i jap shansin një fare të mbjellë sot që do na japë një bimë të shëndetshme nesër. Kësaj radhe unë votoj Gjergj Bojaxhiun, pikërisht sepse ai është shprehësi i protestës që nuk është se ka munguar, por deri tani të paktën nuk është artikuluar.