Saturday, July 19, 2008

"çifutët" modernë

Pergjigje ndaj artikullit me titull :Dyshimet e arsyeshme për votimin e emigrantëve
(botuar tek Gazeta Tema,Korrik,2008, autor Mero Baze)
http://www.gazetatema.net/index.php?gjuha=0&category=0&id=2865

E drejta themeltare e një shtetasi është e drejta e votës, mohimi i kësaj të drejte është KRIM!
"Duhet te votojnë ata që e meritojnë" shkruan z.Baze
Shkruani se jeni kundër që” fatet e mia t’i vendosë, qoftë dhe me një diferencë të vogël, një pakicë që emocionohet nga diferenca që bën mes Shqipërisë dhe vendit ku jeton dhe jo nga përpjekja e saj për ta ndryshuar këtë realitet”, për cilat fate tuajat flisni, tuajat personale? Po, mbase ju ia dilni mbanë të keni një jetë normale me këto “shkrime” që arrini ti shisni, por harroni se një përqindje e madhe e familjeve shqiptare mbahen nga të ardhurat e këtyre “të paedukuarve, e të pakulturuarve”, që bëjnë punë nga më të vështirat për të mbajtur familjet e tyre në Shqipëri. Mos më thoni se besoni tek shifrat zyrtare të papunësise ku shkruhet 13%, po këta emigrantë kanë te drejtë po ashtu të mos i shohin vellezërit e tyre te papunë tek sillen bilardove apo lojërave te fatit, tek kalojnë ore të tëra në kafene e bare. A mundeni që sot tu thoni këtyre emigrantëve që nuk paskan te drejtë për të votuar meqenëse janë jashtë Shqiperisë?
Ju zotëri i nderuar që po bëheni shembulli më i prekshëm i racizmit shqiptar ndaj shqiptarëve(!), më bëni të mendoj se (mos)profesionalizmi gazetaresk, nuk është e meta juaj e vetme. Të ishte vetem kjo,ndoshta dhe kapërdihej. Mirëpo, po bindem se disa prej jush, janë vetëm sipërfaqja e ndotur e një ene me ujë të palëvizshëm. Të votojnë vetëm ata që e meritojnë?! Me cilin test , vallë,do ti veçoni ata që e meritojnë … bujarinë tuaj?
Kujtoni mësëshumti N. Sarkozy-në dhe testin e famshëm të ADN-ë që propozon për fëmijët e emigrantëve.Mos vallë, duhet të presim të kërkoni ndonjë "ndërhyrje" shkencore që mat patriotizmin apo nivelin inteketual ?! Pas rënies së diktaturës, pjesmarrja në votime është të paktën alarmante. Sipas jush, zotëri i nderuar, këta që ndodhen në atdhe dhe …e meritojnë(!)përse vallë i kanë kthyer shpinën kutisë së votimeve ?!
Vallë, cilave statistika u referoheni, kur thoni se, shumica e atyre që janë larguar pas '90 nuk duan të dinë për Shqipërinë ? Ç'lloj gazetarie është kjo e juaja që, për çështje kaq vendimtare, mbështetet thjesht tek thashethemet? Më tej, nuk nguroni të shkruani për "nivel të ulët të emigrantëve në Greqi", prove e fortë kjo e një përçmimi shqetësues që ndjeni ndaj tyre. Nëse nuk e dini, gjithsesi, po ju ndihmoj duke kujtuar se, mundësitë informatike të Greqisë, sigurisht që nuk mund të krahasohen me ato të Shqipërisë.Gjithashtu, jeni, besoj, në dijeni të faktit që, në mjaft zona të Shqipërisë, niveli i analfabetizmit po shkon në rritje, pasojë kjo e ekonomisë së "begatë". Pikërisht sot,sikurse mësohet nga mediat, mbi 8 mijë fëmijë nuk po ndjekin arsimin e detyruar! Mentaliteti mesjetar është akoma prezent edhe në rrethinat e kryeqytetit ,ku një prind, krejt natyrshëm, i kërkon së bijës të lerë shkollën, sepse atij … nuk ka kush i gatuan!!!
" Emigracioni i përgjegjshëm" , është një tjetër frazë ironike dhe diskriminuese . Si mundet vallë, kaq papërgjegjësisht, të gjykosh si të" papërgjegjshëm" një prind që kalon kufirin, qoftë dhe në mënyrë klandestine (dhe kjo për arsye të mungesës së strategjisë kombëtare për emigracionin) për të ushqyer fëmijët e tij?! E përse ky paragjykim, zotëri, kur jeni dëshmitar okular i gjendjes alarmante ekonomike të këtij kombi ?! Pa hezitim, po sulmoni një popull të tërë. Të gjithë ne, ose kemi një të afërm emigrant, ose kemi qenë vetë të tillë, qoftë dhe për njëfarë kohë.Të paktën të papranueshme, tingëllojnë fraza të tilla.
Për mendimin tim, ne që «e meritojmë » jemi më shumë analfabetë. Ndër të tjera, teknologjia ecën më shpejtë se "patriotizmi " ynë bosh. Nuk ka dyshim se, mjaft emigrantë, janë më tepër në dijeni të asaj që ndodh këtu, krahasuar me « të merituarit » që jetojnë në fshatrat ku shqetësimi kryesor ështe mungesa e ujit, e dritës, apo thjesht e një ambulance për të transportuar në «qytetërim » njeriun që ka nevojë për mjekim. Një udhëtim i politikanëve tanë andej nga ato fshatrat, me NATO apo pa NATO, dhe premtimet bëhen lehtë të besueshme. Të gjitha këto, për të bërë një paralelizëm , dhe jo për të thënë se ,ata fshatarët në Has, Dibër, apo Bilisht nuk e kanë të drejtën e votës . Mirëpo, paraleleizmi që ju rrekeni të bëni, është krejt shokues. Së fundi, ju që sygjeroni "përzgjedhjen" e emigrantëve "në ata që e meritojnë dhe në ata që nuk e meritojnë", mos neglizhoni faktin se, tendenca për të emigruar nuk është zbehur aspak, fenomen ky që pason politikat e dështuara. Pas kësaj, fare mire dimë se, ku ka pasojë ka dhe shkak! Mbi 1milionë shqiptarë emigrantë, duke qenë thuajse tërësisht moshë aktive , së paku përbëjnë rreth 25% të votuesve të mundshëm. Ndaj, lojnat e fjalëve për "nivelin kulturor" apo indiferentizmin ndaj atdheut, tingëllojnë të paktën cinike. Sidomos, përllogaritur këtu dhe … “nivelin kulturor” që ju mbillni me frazat tuaja, të denja për oratorinë e një partie naziste. Stereotipet që ju përdorni, aspak nuk dallojnë nga ato të antishqiptarëve.
Së fundi, një qytetar shqiptar, kudo qoftë, duhet të ketë të drejtën e votes per fatin e e vendit te tij. Kjo është dhe më elementarja që siguron demokracia. Nëse pas kësaj, posedimi i një pasaporte të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, nuk do tu jepte atyre të drejtën më elementare të demokracisë, pra të drejtën e votës, personalisht , nuk do të befasohesha nëse dëgjoja një ditë se po i kthejnë ato në fletushka për zjarr.

A.Karakushi

Thursday, July 3, 2008

Ingrid Betancourt me ne fund e lire!!!


Jam e perlotur para ketyre imazheve te TV5. Ingrid Betancourt e cila ishte rrembyer nga forcat e FARC (Revolutionary Armed Forces of Colombia) qe prej 6 vjetesh u lirua me ne fund fale nje operacioni shume kompleks te forcave kombetare te Kolumbise ne bashkepunim me forcat e espiunazhit amerikan. Ajo ishte rrembyer nderkohe qe ishte duke zhvilluer fushaten e saj elektorale ku ajo ishte kandidate per presidente. Kjo franko-kolumbiane idealiste ishte bere nje figure shume popullore jo vetem ne Kolumbi por dhe ne France ku ndodhej dhe familja e saj. Ajo ka qene nje kritike e ashper e forcave rebele te FARC gjate fushates se saj. Edhe pse e paralajmeruar nga qeveria Kolumbiane qe te mos udhetonte ne zona qe kontrolloheshin nga keto forca rebele ajoi vizitoi keto zona ne nje prej te cilave ajo u rrembye. 6 Vjet te mbushura me dhimbje, deshtime te njepasnjeshme operacionesh qe synonin lirimin e saj., 6 vjet duke vuajtur semundjen e saj. 6 vjet e privuar nga femijet e saj, motra e saj, bashkeshorti. Nje dite kjo histori do ngjitet ne skenat e Hollivudit, por ishte me te vertete me fat. Happy ending! Fjalet e saj te para nderkohe qe u lirua ishin : "parajsa duhet ti ngjaje asaj qe un po perjetoj ne keto momente "

P.s. Imazhi eshte marre nga :http://www.20minutes.fr