Thursday, December 31, 2009

Thank you


it was an interesting, beautiful, difficult, year .. full of challenges .. surprises.. I met some great people..and I surely had some unforgeable moments .. with people that became my friends, people that shared the same ideals as me being active at Korpusi i Vullnetareve, I published several articles at the respectable newspaper Tirana Observer, had great moments with students and profs of my univ,I finished two important projects as a professional, beyond all i got to discover another diamond of my Father's past and I became an aunt of a cute little baby girl.. Thank you 2009.. let's hope 2010 will give me and you the chance to set some more beautiful footprints in what will and wish to become a past year 2010.
I do not believe in our chronological sets ..nor on New Year's however I believe in time divisions regulating it through Gregorian Calender or other ... It somehow helps us understand what did, what we do.. where are we heading to..may you all head in what is right on your ideals..one suggestion plant smiles around you no matter the circumstances..

Sunday, December 27, 2009

Shoqëri në vend numëro..


Shqipëria dhe shoqëria e saj po e mbyll këtë vit me një situatë të zymtë diku diku sikur i është vënë një perde paqartësie, kryqëzimesh, dhe paralelizmi Aristotelian mes individit dhe shoqërisë sikur duket qarte tek një individ, Eshtë një vajzë me aftësi të kufizuara, e ulur në karriken me rrota aty tek kryqëzimi i rrugës Sami Frashëri dhe Blv Bajram Curri, bie shi, është ftohtë, ndërkohë fytyra e ngrirë e kësaj vajzë nuk thotë asgjë në dallim me lypsarët me trup fëmije, në dallim me atë zonjën mbipeshë që shoqërohet nga 3 fëmijët e saj tek rruga Dëshmorët e 4 Shkurtit aty para Pastiçerisë franceze të cilës po nuk i fale para nuk do të hezitojë të të ofendojë me fjalorin e saj vulgar. Kjo vajzë duket se është aty pa qenë aty, ka një shikim të ngrirë i cili sikur është ndalur diku, jo nuk tregon moskokëçarje, as mëshirë, e megjithatë sikur është ndalur në një zero, po mos e dija që në fakt nuk ka ngrirë, do shtoja se shikimi i saj është pikërisht i akullt.. ajo nuk do tia dijë as për kuti, as për Kopenhagen dhe përpjekjet e udhëheqësve botërore në lidhje me mos arritjen e një marrëveshjeje për reduktimin e gazit te karbonit në atmosferë, nuk do tia dijë as për faktin se kur u mblodhën këta lider për të zgjidhur krizën financiare që preku gjithe globin marrëveshja u gjet me lehtësi, kjo vajzë nuk do tia dijë se dhe kryeministri ynë ishte i pranishëm atje dhe se në fakt për ne në Shqipëri më shumë bëri lajm premtimi i Obamës për të vizituar Shqipërinë sesa vetë rezultati Kopenhagas. Kjo vajzë nuk do tia dijë as se megjithëse ne Shqiptarëve nuk na u liberalizuan vizat po shohim në media reklamat e qeverisë për liberalizimin e tyre. Nuk do tia dijë se në një ndër takimët e fundit me një promovues të huaj për Shqipërinë ku ministrit iu kërkua të nderonte me pjesëmarrjen e tij një aktivitet për Shqipërinë në Hollandë ministri i kulturës u shpreh se nuk ishte roli i tij ti bente marketing Shqipërisë, kjo vajzë nuk do tia dijë se ky vit po mbyllet duke parë si më aktive ministrinë e Integrimit dhe ate të punëve të jashtme dhe duke mos dëgjuar as dhe njëherë zerin e Ministrisë së punës, duke u ndalur këtu në fakt kam përshtypjen se emrat që kalojnë në këtë Ministri janë më të panjohurit thua ti se në këtë vend nuk punohet.
Diçka më thotë se ajo nuk do tia dijë as se jemi në prag krishtlindjesh, as se në Tiranë sapo u hap një qendër tjetër komerciale me dyqane tepër luksoze por pa tualete, nuk i intereson as niveli i lartë i muzikes së kopjuar tek festivali i Këngës Magjike, as reklamat qesharake të kompanive telefonike ku paturpësisht në njërën ndër to na mësohet masivisht si mund të korruptojmë një rezultat. Por për një arsye që as vetë nuk e di më duket se shikimi i akullt i kësaj vajze qe sigurisht nuk i kalon të 25-tat na sfidon, vallë çfarë duhet të ndodhë që ajo të veshë me një emocion shikimin e saj ..apo ka nje paralelizëm me vetë ne Shqiptarët që jemi lodhur se shokuari, në realitet ka një të vërtëtë të hidhur, shumë te hidhur që na paralelizon vetë ne ne lidhje me qenien e kësaj vajze të re, këta njerëz ne shoqërinë tonë quhen njerëz handikapë.. mua më duket e tillë vete shoqëria jonë, mos vallë ka ardhur koha te thërrasim vetë veten dhe këta njerëz me emrin ‘njerëz me aftësi të kufizuara’ , mbase në atë moment do kuptonim se të qenit i tillë dhe ne si shoqëri nuk do te thoshte se nuk bëjme dot asgjë.. se ka shumë gjëra qe mund të bënim.
Mbase atëherë do kuptonim se për tu futur në Be për të pasur liberalizim vizash nuk mjafton lypësaria e marrëdhënieve diplomatike në korridoret e Brukselit, mbase atëherë do kuptonim se Ministri i Kulturës duhet të ketë të paktën nje skript për punën që i takon, mbase atëherë do dënonim këta prindër që përdorin fëmijët për të lypur rrugëve, e mbase atëherë do dinim të kërkonim llogari për ministritë fantazmë, për plagjiaturen në të ashtuquajturin art shqiptar, dhe vetë gjymtyrët e që bëjnë të mundur funksionimin e ketij shteti do fillonin të njihnin fjalën afat kohor!

Monday, December 7, 2009

Sistem i pa-sistemosur


Bum bum bum, tak , tak , tak! Po mendoja se po shihja një ëndërr të keqe, dikush sikur po më qëllon në kokë , hap sytë, shoh orën, ajo shënon 8:30 …….ahhh sërish nuk I kalova 3 orët e gjumit ... Pas një jave tejet të rënduar ku netë të tëra kishin kaluar vetëm me 3 ore gjumë shpresoja se të dielën do të mund të çlodhesha disi duke fjetur pak më shumë. Por, jo, nuk është e thënë të ndodhë kështu, po ndërtohet në mënyrë klandestine një kat më i lartë. Pllakat e betonit tashmë ishin transportuar me anë të ashensorit.. e kotë të shkruaj sa shumë u trondita me ato që kisha parë.. kjo sepse banoj në katin e fundit ose të paktën besoja se banoja ose të paktën nuk duhet të besoj më pas pasi jo më larg se në fundin e dy 2 javëve që do vijnë po, kjo ndërtesë do të quhet 9 katëshe!! Marr në telefon të zotin e apartamentit i cili është njëkohësisht ai që po ndërton katin shtesë. I them:
- Nëse do të largohem nga ky apartament ma thuaj në mënyre direkte e jo indirekte, pasi nuk është e drejtë që të dielën të mos fle dot gjumë, besoj se kam qenë gjithmonë korrekte me juve dhe kishim vendosur që të paktën të shtunën e të dielën ti ndërprisnit punimet!
-Ohh më vjen keq, por duhej patjetër ta mbaronim këtë punë pasi të shtunën dhe të dielën ata krokodilët nuk janë rrotull – Mbyll telefonin e inatosur dhe I dorëzohem gjëndjes së pagjumë, krevati im I rehatshëm tashmë dukejj I parehatshëm..
Një situatë absurde, po mendoja dy ditë më parë teksa po zbrisja me ashensor, shoh përpara një nga punëtorët i cili qëndronte përballë ashensorit, ishte rreth të 45, ose dukej kështu nga lodhja, i veshur me ca rroba tipike punetorësh, ngjanin si të lyera me bojë të zbardhura apo të lyera me të bardhë, flokët i kishte të një ngjyre as bardh as zi, gri do thoja, por jo, as gri, paruke.. doemos që nuk i kishte pasi dukej një pjesë e mire pa flokë ..por ja ishte një ngjyrë që nuk kuptohej..po i quaj flokë të pluhrosur. Ndonëse e ndjeja se ç’po ndodhte lart e pyes - çfarë po ndodh lart- ai sikur ul kokën dhe më thote po ja po izolojmë tarracën që të mos futet lehtë nxehtësia apo i ftohti nga lart- ehhhhhh i them unë ju lutem shumë mos u tallni me mua e di shume mirë që nuk është kështu ...por nejse nuk është faji juaj, shtoj unë.. pasojnë disa sekonda heshtjeje dhe ai thote - Kapitalizëm i egër moj motër... ehh shfryj me vete jetojmë në vendin ku ligji ka ikur me pushime të përhershme..dhe sërish po mendoja përse duhej ta vija në situatë për të më genjyer, mendova dhe tjetrën ky u përgjigj për kapitalizmin sipas komunizmit.. dhe motër..
Pashë 3 apo 4 punëtorë këto ditë, dëshmonin njëlloj ulje koke para meje, doemos ishin të porositur të ishin sa më diskret dhe kokëulur…pastronin mirë dhe ashensorin nga grimcat betonike, që të mos linin asnjë gjurmë ..dhe ndërkohë që dola në mëngjes , drejtohem tek ashensori një ndër punëtorët po qëndronte tashmë para tij, kokëulur, un mbaj kokën drejt.. ashensori hapet un futem, por ky punëtor qëndron nuk futet brenda. I them – po ju nuk do zbrisni ? Po- më thotë. – Po atëherë ç’prisni ? – Faleminderit thotë ai dhe futet. Ashensori zbret katet dhe as un as ai nuk e shohim njëri-tjetrin, dera hapet dhe dal, vërej se hapat pas meje jane shumë të ngadaltë thua ti se aq në faj dhe të frikësuar ndiheshin ata punëtorë saqë doemos duhet te ktheheshin në fantazma për të bërë të mundur krijimin e materies kati i 9-të. Dhe patjetër në vendin tim mos guxoni të thoni sa katësh është pallati ku jetoni, mund tu marrin për gënjeshtar, pasi bie në gjumë në një ndërtesë 8 katëshe dhe mund të zgjohesh në një 9 katëshe.. tani pyetja lind jemi apo nuk jemi në vendin e çudirave..

Thursday, December 3, 2009

Kushtetuta e Moralit



Ndërkohë që historia e civilizimeve mësoi nga morali nxjerrjen e ligjeve, në Shqipërinë tonë është ligji që po kundërshtohet nga morali një moral i pamoralshëm, ky i fundit sepse tani e prapa do të na duhet që politikanët t’i shohim si profetë e zotër që kanë të drejtë të na akuzojnë e gjykojnë, që të paktën me deklaratat publike të kanë dënuar pa të dhënë të drejtën e avokatit e të vetëmbrojtjes. Më 1225-ën, Magna Carta në mbretërinë Angleze, u bë elementi i parë i asaj që sot quhet e drejta e njeriut, elementi i parë i asaj që quhet ndarje pushtetesh, duke e parë fenomenin në këtë prizëm, shohim qartë që politikanët tanë përkasin një epoke të errët. Akuzat dhe komentet e përfaqësuesve më të lartë të politikës shqiptare mes shumë të tjerave kanë frymëzuar një sistem që i përket epokës mesjetare, kanë zhvlerësuar para vetë nesh njëherë më shumë imazhin dhe popullaritetin qe kishin këta politikanë, kanë frymëzuar thashethemin mbret dhe mbi të gjitha legjitimojnë atë. Nuk do të hyj të analizoj thashethemet e dala nga të dyja krahët e kësaj beteje pa fund, nuk më intereson nëse u thanë të vërteta apo gënjeshtra, por fenomeni. Duhet të pranoj se gjithmonë më ka bërë përshtypje nevoja e thashethemeve, kisha arritur deri aty sa të mendoja se në fakt është boshëtia e vetë personave të cilët bëjnë thashetheme të cilët në kërkim të funksionimit te motorëve të motivimit të qenies së tyre kalojnë tek gjykimi i jetës se të tjerëve. Besoja se kjo lloj mënyre e të menduarit i përket tashmë një shtrese më pak të civilizuar, më pak të shkolluar e mbi të gjitha të papunë për vet faktin e mos pasjes së një aktiviteti, pra më së shumti plakat që kanë kaluar 70-at, shtëpiaket e dëshpëruara, familjet ku jetohet përjetësisht në familje etj...etj. Sërish këto thashetheme bëhen në fshehtësi. Por të dëgjosh një kryeministër, një kryetare Parlamenti, të përdore një fjalor të tillë, natyrshëm lind pyetja: Si ka mundësi?! Të dëgjosh kryetarin e një partie si PS-ja të flasë në mënyrë të tillë, siç është dëgjuar shumë herë të shajë gazetarët, sërish thua: Si ka mundësi? Vetë fyerjet e përdorura nga këto figura të hierarkisë së politikës Shqiptare, më kujtuan zënkat e fëmijëve, ik se ti je i shëmtuar, ti je i shkurtër, hunda jote është e shtrembër, ti je bullafiq etj...etj.
Ka një lloj radikalizmi në këtë mënyrë të të shprehurit, një radikalizëm që e gjen vetëm tek ata që nuk e njohin fjalën emancipim, edukatë, kulturë a të shprehurit në mënyrë civile, nuk njohin të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha trashëgojnë mënyrën e krijuar nga sistemi totalitar që përjetuam shekullin e kaluar. Kjo mënyrë e kishte emrin njeriu ideal i futur në kornizën e asaj që quhet moral, morali sipas një spektri vlerash që vetëm vlera nuk nxorën por nxorën njeriun e antivlerave. Kështu matematikisht nëse nxjerrim totalin e fyerjeve të shqiptuara nga hierarkët e politikës shqiptare, do të kuptojmë se në realitet mesazhi indirekt që ata na përcjellin është krijimi I një legjislature të re, një kushtetute të re që mban emrin Kushtetuta e Moralit. Duhet pranuar se krijimi i një të tille do të bënte xhelozë të gjithë religjiozët e planetit Tokë.
Këto replika fyese kanë fyer të gjithë ne, por mbi të gjitha po mendoja cilën pjesë të të ardhmes se Shqipërisë frymëzojnë ? A do të ketë ndonjë fëmijë që do të ketë si ideal kryeministrin, kryetaren e Parlamentit, kryetarin e partisë më të madhe opozitare?
Përfitoj nga rasti t’i bëj një apel të gjithë shqiptarëve e në veçanti atyre që kanë një familje. Sa herë që shfaqen në kanalet TV këto figura politike, bëni zapping, pra ndërroni kanal ashtu si mund të ndërrohet kur ka një emision, film, spektakël me një shenjë me pullë të kuqe. Propozimi tjetër ftoj të gjitha kanalet televizive t’i shfaqin këto fjalime, deklarata pas mesnatës dhe me një lajmërim: Ndalohet ndjekja e këtyre sekuencave nga fëmijë nën moshën 16 vjeç, sepse nëse jo fëmijët tuaj do bëhen një produkt që nesër , pasnesër do të përdorin pikërisht këto sharje ndaj njëri-tjetrit e përse jo ndaj vete jush.
Përse një apel i tillë, kjo sepse të gjitha këto deklarata kanë dalë nga individë që ishin të ulur në foltoren e Parlamentit, atij Parlamenti të votuar nga ne, këto deklarata kanë dalë nga institucionet që politikisht, zyrtarisht na përfaqësojnë të gjithë neve, përfaqësojnë kulturën tonë, të paktën kishin mundësinë të përfaqësonin anën pozitive të kësaj kulture. Së dyti, këto deklarata po të skanohen nuk janë as politike as diplomatike por deklarata rrugësh, duke lënë mënjanë thirrjet indirekte të luftës që bëjnë këto akuza pyetja që lind është: A e kuptojnë vallë gabimin këta politikanët de jure??! Do të vijë koha kur të shohim pak etikë në fjalorin e politikës shqiptare?! Apo hapi tjetër regresiv do të jetë kushtetuta e moralit?!