Wednesday, January 6, 2016

Letër e hapur për Universitetin e New York-ut në Tiranë

Letër e hapur drejtuar Universitetit të New York-ut në Tiranë në lidhje me eventin e Konferencës “25 vjet tranzicion”.

Më 28 Nëntor isha ndër pjesëmarrësit e konferencës ndërkombëtare “25 vjet pas rënies së komunizmit, tranzicioni në perspektivë”, konferencë kjo që u zhvillua në Tiranë. Pasi hasa shumë problematika, duke qenë se jam njeri konstuktiv i dërgova një email sqarues organizatorit kryesor të evenimentit, rektorit të universitetit të New York-ut në Tiranë Z. Fatos Tarifa. Përgjigja që mora ishte tejet antagoniste, jo se prisja lëvdata, por meqë kjo letër me ankesa vinte nga një ish-studente e këtij institucioni, prisja së paku një përgjigje të tipit që ‘dhe pse nuk biem dakord për të gjitha ankesat që keni shtruar për disa nga ato për të cilat si senat biem dakord se duhet reflektuar, do të merren parasysh në konferencën e radhës’.
Normalisht qëllimet kryesore të një konference akademike kanë të bëjnë me arenën ku akademikët diskutojnë, gjetjet e tyre në mënyrë shkencore ku teoritë e hipotezat përfitojnë komente konstruktive nga pjesëmarrësit, replikimet e studimeve të tjera dhe rrjedhimisht mund të vijohet me publikimin në vëllime të veçanta. Paralelisht këto evenimente shërbejnë për rritjen e network-ut i cili mund të sjellë bashkëpunime mes akademikësh që ndajnë interesa të përbashkëta në botën kërkimore.
Por unë si pjesmarrëse në këte konferencë vura re me dëshpërim se qëllimi kryesor i saj kishte qenë efekti PR, apo e shkruar shqip efekti i shkëlqimit të logos së UNYT, një efekt i gatimit të bukës në mikrovalë ku do dominohej me imazhin e jo me përmbajtjen e qëllimin serioz të një konference të këtij profili. Për eventin ishte zgjedhur Hotel Tirana, i cili me gjithë luksin, është i vetmi që ofron facilitetet me shumë salla konferencash. Ishin ftuar studiues me emër të teorive të tranzicionit si Dr. Claus Offe. Nga ana tjetër, përtej eventit të ditës së parë, data 27 Nëntor, ku u mbajtën fjalimet e të ftuarve të nderit përpara një salle plot e ku media nuk mungoi veçanërisht sepse ishte i ftuar nderi dhe kryebashkiaku i Tiranës, realisht panelet e pjesëmarrësve që do bënin prezantimet e tyre të nesërmen (ditë e shtunë, për më tepër 28 Nëntori) u zhvilluan brenda pak orëve të paradites ku pjesmarrës në audiencë me shumë gjasa ishin vetë ata që prezantonin, ose pjesëmarrja do të ishte minimale sikurse ndodhi tek paneli ku unë prezantova. Se si mund të zgjidhet për një event të këtij profili datat 27-28 Nëntor, data aspak e përshatshme jo vetëm sepse ishin data që preknin fundjavën, por paralelisht duke qenë ditë festash, mundësia e pjesëmarrjes nga ata që mund të ishin të interesua, këtë nuk kam arritur akoma ta kuptoj. Një mendje konspirative do të hamendësonte se u zgjodh qëllimshëm pikërisht sepse mund të ekzistonte frika e përballjes, por unë dua të mendoj e besoj në mungesën e profesionalizmit. Mbase këto data që me sa m’u komunikua ishin planifikuar dhjetë muaj përpara, u piketuan si të tilla sepse simbolika e fjalës tranzicion takonte ditën e flamurit. Por mbase duke parë si primare vetë qëllimin e një konference të këtij lloji, organizatorët do të kishin synuar një datë më të përshtatshme, ku politikëbërsit, studentët etj., do të kishin më shumë gjasa të merrnin pjesë në këto evente përveç shumë prej prezantuesve në panele, të cilët duke pasur një axhendë më konstruktive (pra jo katër panele njëkohësisht, por dy për shembull) do të mund të krijonin diskutime e ndanin sygjerime ndaj punimeve. Kështu të paktën në panelin ku unë mora pjesë, prezantuesja e fundit pati nje audiencë prej thuajse zero personash nëse nuk konsiderojmë si audiencë moderatoren dhe dy prezantueset pararendëse unë përfshirë.
Një problem tjetër që hasa kishte të bënte me mungesën e moderimit si në matjen e kohës së prezantuesve ku secili normalisht duhej të kishte njëzetë minuta (komunikimi i kohës vetëm pak minuta se ta bënim atë), por dhe një mungesë moderimi në reagimet e atyre të paktëve reagues që përbënin një audiencë që matej me gishtat e dorës. Një kundërargument i drejtë i audiencës ndaj prezantimit të njërës prej studiuesve që paraqitën punimin, hasi në një përgjigje e cila nëse do përkthehej nga toni ishte e tipit ‘mos guxo të më kundërshtosh’. Nga ana tjetër ndërkohë që unë do të prezantoja e treta, pa aprovimin tim, moderatorja më vuri te katërtën pasi atij pas meje do t’i ikte avioni. Po ashtu u vu re se prezantuesit largoheshin nga salla pas mbarimit të ligjërimit të punimeve të tyre gjë që e zvogëlonte dhe më shumë audiencën potenciale për ata që prezantonin pas tyre. Në panel ishin disa prezantime, por prezantimi ka gjuhën e tij profesionale që do të thotë se ti fillon me idenë ku kontribuon në akademi si studim dhe përse është i rëndësishëm ai. Disa nga këto prezantime (jo të gjithë) nuk e shpalosën idenë se ku kontribuonin, edhe pse me shumë gjasa (dua ta shpresoj) kjo rëndësi e ky kontribut do të gjejë vend në punimin final që mund të publikojnë.
Siç shkrova më lart ajo që më shtyu të bëj publike këtë letër nuk ishin problematikat e eventit, por ishte reagimi armiqësor i Z. Tarifa ndaj komenteve që i nisa. Disa nga këto komente kishin të bënin me investigimin nga ana e tij duke pyetur pjesëmarrësit e tjerë (ndër to, dy prezantueset ku ai vetë paska qenë këshillues i tezave të tyre) e ku pretendimet e mia nuk gjenin vend. Një tjetër koment, i cili nuk trajtonte zgjedhjen amatoreske të datës, trajtoi faktin sesi unë u pranova të jem pjesë e eventit ndërkohë që kishte kaluar afati i pranimeve, anipse unë nuk bëra asnjë lutje, por thjesht aplikova si e brendshme pasi u bëra anëtarja më e re e Qendrës për Studimet Sociale pranë UNYT. Një koment tjetër i tij më linte të kuptonte se punimi im nuk ishte origjinal për konferencën. Kjo pasi ishte teza e masterit tim që u publikua online në muajin Gusht (2015) nga vetë universiteti shtetëror i Oregonit ku unë u diplomova, e që mua më bëri të mendoj për rrëfimin që më bëri një profesor që mori pjesë në këtë event e më konfirmoi se këtë punimin e tij që prezantoi e kishte prezantuar para tre vitesh diku tjetër. Sikurse pati garniturë si koment se unë isha e vetmja që kisha vetëm master e jo doktoraturë , megjithatë isha pranuar të merrja pjesë. Një koment tjetër final, i cili u shoqërua me epitetin ndaj meje si kritike arrogante, kishte të bënte me faktin se unë isha e vetmja që u ankova, paçka se të paktën në dijeninë time ky eveniment nuk u shoqërua me një anketim online ku të maste pëlqyeshmërinë ndaj tij e se mbase jo të gjithë kanë motivimin e kurajon të shprehin pakënaqësi, pse jo mbase forca e autoritetit brenda UNYT dhe oportunizmi kombinuar me frikën, sikurse mungesa e traditës së sfidës ndaj autoritetit mund të ketë bërë shumë profesorë të nderuar të UNYT të heshtin.
Si përfundim, Tarifa e mbylli me faktin se ai ka qenë në mbi njëqind konferenca ndërkombëtare dhe e di mirë si shkojnë ato. Unë i them se konferencat ndërkombëtare ku unë kam marrë pjesë janë më pak se tre, por kjo nuk më bën të mos di se ku janë shtyllat kryesore të bërjes së një eventi të tillë e se realisht dhe çertefikatën që m’u dha për pjesmarrje nuk do e bëj pjesë të CV-së sime. Kjo sepse aty ku prezantova salla ishte thuajse bosh, e se unë kornizat i shoh dytësore. Siç e shkrova në letrën e parë që ju nisa mbase kjo ishte një eksperiencë e parë e UNYT e kësaj natyre dhe është e vërtetë që UNYT është një institucion privat, por sikurse dhe unë me studimet bachelor jam produkt i këtij institucioni, më intereson imazhi i vërtetë i tij dhe jo ai i slloganit [duke edukuar udhëheqësit e të ardhmes] që e has rëndom në kanalet televizive. Më intereson imazhi i përmbajtjes, i thelbit, ku studentë e profesorë bashkëpunojnë duke kontribuar akademikisht. Nëse ky event do të ishte organizuar më modestisht, mbase në vetë ambientet e UNYT, mbase nuk do kishim karrige që shkëlqenin, por do të kishim ndarë më shumë, do të kishim sugjeruar metoda kërkimore të avancuara tek punimet e njëri-tjetrit, do të kishim orientuar dikë që mbase kishte nevojë për këshillat tona e mbase do të kishim ndërtuar partneritete akademike me pjesmarrësit e tjerë. Por mbase duhet pranuar se përpos të tjerash, në Shqipëri ka një mishmash që është trend kombëtar në shumë fusha, e ku në fund të fundit pse një akademik bëhet dhe menaxher eventesh nuk mund të përbëjë kurrë lajm. Por mbase institucioni do mund të reflektojë pak më shumë e të kuptojë se ata që ia duan më shumë të mirën imazhit të tij janë vetë ish-studentët e tij. Mbase vetë trupi akademik duhej të kishte reaguar, e mbase vetë institucioni do të ishte më gjithëpërfshirës e joekskluziv në mënyrën si operon. Mbase atëherë gabime të këtij lloji që sjellin boshësi në vend të imazhit konstruktiv do të zëvendësonin ato kronika të sponsorizuara televizive, me publikime cilësore në revista akademike.