Saturday, July 19, 2008

"çifutët" modernë

Pergjigje ndaj artikullit me titull :Dyshimet e arsyeshme për votimin e emigrantëve
(botuar tek Gazeta Tema,Korrik,2008, autor Mero Baze)
http://www.gazetatema.net/index.php?gjuha=0&category=0&id=2865

E drejta themeltare e një shtetasi është e drejta e votës, mohimi i kësaj të drejte është KRIM!
"Duhet te votojnë ata që e meritojnë" shkruan z.Baze
Shkruani se jeni kundër që” fatet e mia t’i vendosë, qoftë dhe me një diferencë të vogël, një pakicë që emocionohet nga diferenca që bën mes Shqipërisë dhe vendit ku jeton dhe jo nga përpjekja e saj për ta ndryshuar këtë realitet”, për cilat fate tuajat flisni, tuajat personale? Po, mbase ju ia dilni mbanë të keni një jetë normale me këto “shkrime” që arrini ti shisni, por harroni se një përqindje e madhe e familjeve shqiptare mbahen nga të ardhurat e këtyre “të paedukuarve, e të pakulturuarve”, që bëjnë punë nga më të vështirat për të mbajtur familjet e tyre në Shqipëri. Mos më thoni se besoni tek shifrat zyrtare të papunësise ku shkruhet 13%, po këta emigrantë kanë te drejtë po ashtu të mos i shohin vellezërit e tyre te papunë tek sillen bilardove apo lojërave te fatit, tek kalojnë ore të tëra në kafene e bare. A mundeni që sot tu thoni këtyre emigrantëve që nuk paskan te drejtë për të votuar meqenëse janë jashtë Shqiperisë?
Ju zotëri i nderuar që po bëheni shembulli më i prekshëm i racizmit shqiptar ndaj shqiptarëve(!), më bëni të mendoj se (mos)profesionalizmi gazetaresk, nuk është e meta juaj e vetme. Të ishte vetem kjo,ndoshta dhe kapërdihej. Mirëpo, po bindem se disa prej jush, janë vetëm sipërfaqja e ndotur e një ene me ujë të palëvizshëm. Të votojnë vetëm ata që e meritojnë?! Me cilin test , vallë,do ti veçoni ata që e meritojnë … bujarinë tuaj?
Kujtoni mësëshumti N. Sarkozy-në dhe testin e famshëm të ADN-ë që propozon për fëmijët e emigrantëve.Mos vallë, duhet të presim të kërkoni ndonjë "ndërhyrje" shkencore që mat patriotizmin apo nivelin inteketual ?! Pas rënies së diktaturës, pjesmarrja në votime është të paktën alarmante. Sipas jush, zotëri i nderuar, këta që ndodhen në atdhe dhe …e meritojnë(!)përse vallë i kanë kthyer shpinën kutisë së votimeve ?!
Vallë, cilave statistika u referoheni, kur thoni se, shumica e atyre që janë larguar pas '90 nuk duan të dinë për Shqipërinë ? Ç'lloj gazetarie është kjo e juaja që, për çështje kaq vendimtare, mbështetet thjesht tek thashethemet? Më tej, nuk nguroni të shkruani për "nivel të ulët të emigrantëve në Greqi", prove e fortë kjo e një përçmimi shqetësues që ndjeni ndaj tyre. Nëse nuk e dini, gjithsesi, po ju ndihmoj duke kujtuar se, mundësitë informatike të Greqisë, sigurisht që nuk mund të krahasohen me ato të Shqipërisë.Gjithashtu, jeni, besoj, në dijeni të faktit që, në mjaft zona të Shqipërisë, niveli i analfabetizmit po shkon në rritje, pasojë kjo e ekonomisë së "begatë". Pikërisht sot,sikurse mësohet nga mediat, mbi 8 mijë fëmijë nuk po ndjekin arsimin e detyruar! Mentaliteti mesjetar është akoma prezent edhe në rrethinat e kryeqytetit ,ku një prind, krejt natyrshëm, i kërkon së bijës të lerë shkollën, sepse atij … nuk ka kush i gatuan!!!
" Emigracioni i përgjegjshëm" , është një tjetër frazë ironike dhe diskriminuese . Si mundet vallë, kaq papërgjegjësisht, të gjykosh si të" papërgjegjshëm" një prind që kalon kufirin, qoftë dhe në mënyrë klandestine (dhe kjo për arsye të mungesës së strategjisë kombëtare për emigracionin) për të ushqyer fëmijët e tij?! E përse ky paragjykim, zotëri, kur jeni dëshmitar okular i gjendjes alarmante ekonomike të këtij kombi ?! Pa hezitim, po sulmoni një popull të tërë. Të gjithë ne, ose kemi një të afërm emigrant, ose kemi qenë vetë të tillë, qoftë dhe për njëfarë kohë.Të paktën të papranueshme, tingëllojnë fraza të tilla.
Për mendimin tim, ne që «e meritojmë » jemi më shumë analfabetë. Ndër të tjera, teknologjia ecën më shpejtë se "patriotizmi " ynë bosh. Nuk ka dyshim se, mjaft emigrantë, janë më tepër në dijeni të asaj që ndodh këtu, krahasuar me « të merituarit » që jetojnë në fshatrat ku shqetësimi kryesor ështe mungesa e ujit, e dritës, apo thjesht e një ambulance për të transportuar në «qytetërim » njeriun që ka nevojë për mjekim. Një udhëtim i politikanëve tanë andej nga ato fshatrat, me NATO apo pa NATO, dhe premtimet bëhen lehtë të besueshme. Të gjitha këto, për të bërë një paralelizëm , dhe jo për të thënë se ,ata fshatarët në Has, Dibër, apo Bilisht nuk e kanë të drejtën e votës . Mirëpo, paraleleizmi që ju rrekeni të bëni, është krejt shokues. Së fundi, ju që sygjeroni "përzgjedhjen" e emigrantëve "në ata që e meritojnë dhe në ata që nuk e meritojnë", mos neglizhoni faktin se, tendenca për të emigruar nuk është zbehur aspak, fenomen ky që pason politikat e dështuara. Pas kësaj, fare mire dimë se, ku ka pasojë ka dhe shkak! Mbi 1milionë shqiptarë emigrantë, duke qenë thuajse tërësisht moshë aktive , së paku përbëjnë rreth 25% të votuesve të mundshëm. Ndaj, lojnat e fjalëve për "nivelin kulturor" apo indiferentizmin ndaj atdheut, tingëllojnë të paktën cinike. Sidomos, përllogaritur këtu dhe … “nivelin kulturor” që ju mbillni me frazat tuaja, të denja për oratorinë e një partie naziste. Stereotipet që ju përdorni, aspak nuk dallojnë nga ato të antishqiptarëve.
Së fundi, një qytetar shqiptar, kudo qoftë, duhet të ketë të drejtën e votes per fatin e e vendit te tij. Kjo është dhe më elementarja që siguron demokracia. Nëse pas kësaj, posedimi i një pasaporte të lëshuar nga Republika e Shqipërisë, nuk do tu jepte atyre të drejtën më elementare të demokracisë, pra të drejtën e votës, personalisht , nuk do të befasohesha nëse dëgjoja një ditë se po i kthejnë ato në fletushka për zjarr.

A.Karakushi

6 comments:

  1. shume objektiv dhe shume me vend reagimi! faleminderit qe e solle ketu, eshte nje teme per te cilen po diskutojme ne blogosfere me n.agon dhe miq te tjere prej disa ditesh. protagonistet e qendrimit kunder emigranteve po tregojne injorancen e tyre, fashizmin dhe ekstrmizmin qe i karakterizon e qe ne fakt, i nxjerr zbuluar duke i shfaqur nxenes te bindur te shkollave te partise dhe aspak dashamires te sistemeve dhe sjelleve demokratike.
    pershendetje!

    ReplyDelete
  2. pershendetje alidea!

    teper e motivuar dhe mbi te gjitha e formuluar bukur kjo replike, me guxim qytetar dhe arsye te shendoshe. shpreh padyshim mendimet e shume prej nesh qe jetojme jashte, mbi nacional-shovinizmin e semure (akoma edhe brenda shqiptareve ) qe po kaperthen shoqerine shqiptare sot.

    pergezime per prurjen!

    ReplyDelete
  3. @Tropoja
    Faleminderit per komentin miku im, ne fakt ky skrim ishte shume i ashper ne draftin e pare, nje miku yne e editoi meqenese une isha thellesisht e indinjuar tek po lexoja nje artikull te tille, mu rrenqeth trupi dhe isha teper e shokuar. Shekulli 21, racizmi po merr trajta mutante, paradoksale ne nje vend po aq paradoksal si i yni.

    @ Toni
    Faleminderit per komentin, ne fakt duhet ta luftojme kete shovinizem qe vesh petka nacionale e patriotike, sepse fakt rezultati eshte krejt i kundert.
    P.S Kete vit Art History-n e nxorra A-, blogu yt ishte nje rreze e vogel ndriçimi, ndaj te falenderoj.

    ReplyDelete
  4. Nje pyetje do ngrija per kete zoterine qe ka marre te shkruaj kete artikullin. Perse te mos interesohet shteti shqiptar se ku jane te vendosur popullsia e tij? Kjo tregon indiferencen ne radhe te pare nga kjo qeveri e cila kerkon te limitoje emigrantet per te votuar? Amerikanet qe jetojne ne Shqiperi, te pakten ata miq qe une njoj jane te regjistruar dhe qeveria e tyre ju ka krijuar mundesi nepermjet ambasades perkatese qe te jene ne dijeni per mireqenien dhe statusin e qytetareve te vet.

    Pra, nese nje qeveri nuk punon nepermjet ambasades se vete qe te beje te mundur keto informacione, c'me flet per "te drejte votimi" dhe kush duhet te votoje apo jo?

    Sinqerisht, shqiptaret qe jane ne segmente drejtuese qofshin keta politikane apo gazetare jane lajthitur nga mendte e kokes!

    ReplyDelete
  5. eshte e ngjashme me nje thenie te nje mikut tim qe pohon se ca nga ne, e kane per zakon te "fryjne barkun me buke, po ta fryjne mire ama, e pastaj dalin ne diell dhe e ferkojne me dore, duke u fryre si gjelat"...

    ReplyDelete
  6. Reagim i drejtë dhe qytetar ndaj një mentaliteti të rrezikshëm që bën të kultivohet në atdhe!

    ReplyDelete