Sunday, October 8, 2017

E dashur Vjosë



E dashur Vjosë, un kam lindur në Kukës aty ku Drini gjallonte bukur mes kodrash e malesh. Kur linda unë, qytetin e kishin përmbysur për qëllime madhore, u vendos nga diktatura që qyteti im që nuk e njoha kurrë të përmbytej. Ky vendim sigurisht u mor pa pyetur Kuksianët. Po, e dashur Vjosë, ishim në diktaturë, arroganca e pushtetit parë në perspektivën historike kuptohet. Kësisoj edhe pse linda në Kukës qytetin tim me këtë emër të lashtë nuk e pashë e njoha kurrë. Njoha e u linda në një qytet të transplantuar komunist, me godina katrore me hapsira të cunguara që në çdo detaj të kujtonin kufij. Kufij të të jetuarit e kufij të të menduarit. Qeveria e asaj kohe mundet që Kukësin e vjetër ta ketë sakrifikuar për arsye madhore kombëtare. Por sot e dashur Vjosë jemi në vitin 2017, simotrat e tua Valbona e më gjerë, ty përfshirë, po vijoni të sakrifikoheni nën perspektivën e burimeve hidrike për energji, anipse vetë bota sot po e rikonfirmon se e ardhmja është energjia diellore e jo ajo ujore. Po sakrifikohesh ndërkohë që burimet hidrike të energjisë (HEC-et) kanë shumë kosto operative e kanë po ashtu shumë humbje në transmision. Sikur të mos mungonin HECet tanimë kemi dhe brejtësit e babëzitur, apo çakenjtë si kompania Hari Lena e njohur më së shumti nën logon e ujit Trebeshina. Këta e dashur Vjosë, të kanë zaptuar, ta kanë zënë frymën dy herë dhe pronarët e tyre e konsiderojnë këtë vend në stadin e përshkrimit të shekullit 15 të Thomas Hobbes, Nuk ka ligje e as institucione që përballen me ta, këta të fundit janë të plotfuqishëm. Median e kontrollojnë me anë të reklamave, qeveriun me anë të min së sipërmarrje, pushtetin lokal me anë të pafuqisë për të reaguar. Dhe komunitetin e zbrazur nga emigracioni të Këlcyrës e kërcënojnë me ato pak vende pune që kanë hapur si kompani.
Ah moj Vjosë sikur të mund të flisje do të doja të protestoje natyralisht, kjo sepse nuk kemi më komunitete e institucione. Vjosë të ftoj të tërbohesh sepse po të vrasim!
Ndonëse nuk besoj në zot po dua të besoj në energji. Po dua të shoh teksa Vjosa shkund betonin por mbase në këtë orë të vonë unë si idealiste po ëndërroj . E megjithatë e dashur Vjosë edhe po nuk u ngrite, unë bashkë me dhjetra aktivistë do mundohemi sa mundemi që të të shpëtojmë nga kthetrat e të pangopurve. Nuk e di sa do ia dalim, në këto kohë të mbrapshta ku jetojmë nuk kemi luks për pritshmëri.
Meditime pas mesnate 8 Tetor 2017

No comments:

Post a Comment