Sunday, March 24, 2013

Përgjigje për vajzën me emrin S..

Para ca ditesh mora kete mesazh te cilit po i pergjigjem sot:

Pershendetje. Vendosa tju shkruaj juve pasi kam shume rrespekt dhe me dukeni person qe keni impakt ne shoqeri dhe zeri juaj degjohet dhe shperndahet. Nuk e di se cfare mund te beni per te me ndihmuar, mua dhe te gjitheve por mendova te beja nje hap duke ju shkruar. Te me falni se ndoshta eshte dhe dita e ditelindjes tuaj por jeni e lire te me jepni nje pergjigje kur te doni.
Kam deshire te behet dicka qe te gjithe te lirohemi nga frika ! Mendoj se ky eshte problemi numer 1 qe kemi si shoqeri.
Po e nis qe ketu, zgjohemi me frike pasi duhet te dalim nga shtepia ku nuk e dime se cfare na pret. Historikisht e kam pasur frike pallatin tim pasi i ka shkallet e mbyllyra si pothuajse gjithe pallatet e reja dhe jane absolutisht te frikshme pasi mund te futet kushdo dhe ndihesh gjithmone e kercenuar.
Per te mos mjaftuar kjo, dy vajza kohet e fundit kane tentuar ti perdhunojne fatmirsisht pa ja arritur per shkak te forces se tyre.
E me pas vazhdon me friken ne rruge se do te te vjedhin celularin, canten e ne autobuze portofolin.
Friken se do ndihesh e dhunuar psikologjikisht nga nje pedagog ne shkolle, nga nje epror ne pune.
Friken se kur te kthehesh ne shtepi ne darke, absolutisht ne punen tende do te te rrembejne, perdhunojne, rrembejne, vrasin pa arsye.
Friken qe nuk mund te besh dot nje shetitje dy vajza vetem pa vellain, te dashurin, partnerin, nje shok apo cdo prani tjeter mashkullore.

Nuk e di neqoftese kjo eshte normale, di vetem qe ndodh cdo dite dhe nuk duhet te ndodhe. Si mund te jetojme nje jete te bukur, te qete e te suksesshme me kaq shume stres? Neqoftese do kishit mundesi te ngrinit zerin do ju isha mirenjohese. Preferoj identiteti im te mbetet anonim te lutem. Gjithe te mirat, dhe Bravo per qytetarine.



E dashur S, po të pagëzoj me këtë gërmë me që dëshiron të qëndrosh anonime, mbase sepse S-ja mund të jetë Shpresa sikurse mund të jetë S”mund. Uroj që ti dhe shume te tjere ta përktheni në versionin e parë e jo me të dytin.
Kur mora këtë mesazh në inboxin tim para ca ditësh, në mënyre direkte mu kujtua një urim që mora para ca ditësh ku më quajtën trime, duke e lexuar këtë mesazh kuptova se nuk jam trime por thjesht nuk kam frikë për shumë arsye që të tjerët e kanë, mos vallë mungesa e frikës më bën trime?
Të shkruash atë që mendon dhe beson se është e drejtë, te protestosh për kauza të cilat kanë të bëjnë me të drejtat themelore të njeriut nuk na bëjnë trima por tregojnë ndjeshmërinë qytetare pasi nuk mund të jemi Robinsone Kruzo. Por ka diçka që më frikëson dhe mua, dhe kjo e ka emrin heshtja e vetë bashkshtetasve të mi dhe vetdhunimi që kjo e fundit I bën vetes duke qëndruar pasive.
Ështe e trishtueshme të lexosh se zgjohesh me frike që në mëngjes, përtej pallatit me shkalle të mbyllura mos vallë është vetë dhe media e cila ndikon duke na mbjellur friken çdo ditë me lajmet e kronikës së zezë? Nga ana tjeter përse nuk e merr vetë nismën tek pallati yt ku të ndërgjegjësosh të gjithë ata që banojne që ti vendosin një portë të jashtme atij pallati.Në këtë mënyrë secili nga banorët do të ketë çelësin e vet, duke minimizuar në mënyre të dukshme aksesin e të paftuarve në pallatin tuaj? Realisht jetojmë në kohën e portave duam apo nuk duam ta pranojme!
Me vjen mire që ato dy vajza paskan shpëtuar nga perdhunimi dhe e shoh se këto ngjarje kane ndikuar që frika jote të shkojë në një nivel tejet te lartë gati gati të terrorizojë. Ndërkohe po mendoj se sikur nje biznes të vendoste importimin e disa flakoneve spray që quhen “POLICE” e që shiten gjerësisht në pjesën tjetër të Europës do të kishte nje sukses te garantuar!
Me këtë spray të cilin duhet ta mbash në dorë ndërkohe që ecën vetëm, mund ta verbosh për disa 30minuta të mira agresorin! Po ashtu hapja e një palestre ku mund te mësohej gjinia femërore me disa levizje, si të mbroje veten do te ishte një sukses!
Nga ana tjeter na ka veshur kaq shumë konsumërizmi ku duhet të mbajmë çanta të mëdha thuajse sa një mini valixhe që mbahet në krahë saqë I kam zili burrat që janë të lirë dhe dalin pa çanta!

Për frikën nga një pedagog nuk kisha dëgjuar në rrethin tim shoqëror të drejtpërdrejtë, mbase kjo frikë shpjegon qartë se pse studentët nuk protestojnë në këtë vend , në fakt vetë universitetet në mase të gjerë po prodhojnë dele të bindura per të ardhmen e këtij vendi! Por ndërkohë që të kuptoj për frikën nga dhuna fizike nuk dua të të kuptoj për frikën nga pedagogët. Në fund te fundit përse je në universitet nëse neser kur të dalësh nga ai do të kesh te injektuar mire ne ADN-në e të menduarit tënd frikën? Sa do të shërbejë ajo diploma, nëse ti do të kesh druajtje e frike për të kërkuar punë, dhe do kerkosh patjetër të gjesh të njohur që do të kontaktojnë me të njohurit e tjerë per të të gjetur punë tek I panjohuri. Ky I fundit mbase nesër do te jetë I pari që do të të bëjë presion psikologjik, edhe për faktin se të ka punësuar nga I njohuri I të panjohurit.

Jo S, ti duhet të reagosh ndaj pedagogut, ti duhet te bisedosh dhe me studentet e tjere, ti duhet ti bësh peticione vete keshillit akademik për sjelljen e padenjë të profesorit tënd. Isha në gjimnaz kur një mësuese (vitet 95-96) e ofendoi tërë klasën, e mbani mend kultin e mësuesit atëherë, ti je e vogël dhe nuk e ke jetuar atë kohë por atëherë nuk ekzistonte thuajse fare reagimi ndaj mësuesve kaq I padiskutueshëm ishte ai. Mbaj mend që kërceva nga banka dhe I thashë “ JU nuk keni te drejtë të na ofendoni zonjë!” Reagimi I saj ishte histerik më tha do të të çoj tek drejtori, I thashë më duket se do çosh veten duke me çuar mua pasi e keni ju gabim! Përfundimisht ajo dërgoi veten tek drejtori. Ti sot nuk DUHET të kesh frikë! Un thjesht e ndjeja se duhej të reagoja pasi një ofendim që bëhet nga dikush që abuzon me institucionin që përfaqëson realisht të prek integritetin tënd si njeri. Nuk dua të bej moralisten por kur nuk mbrojme dot integritetin tonë atehere paqja që bëjmë me dhunen (psikologjike apo fizike) na tjeterson.. është e trishtueshme nëse një dite do te shohësh veten në pasqyre dhe te zbulosh se nuk je ti!
Nuk e di sa te kam ndihmuar me keto komente, serish mund te me pergjigjesh ne inbox e dashur S..deri atëherë uroj të të lexoj më pak të frikësuar..

Thjeshtësisht,

Alidea

No comments:

Post a Comment