Friday, March 8, 2013

8 Mars i trishtë në Tiranë!


Përfundimisht kam vënë re se ditët e veçanta që i përkushtohen gruas në rastin konkret apo x kategorie tjetër etj etj jane ditë viktimizuese! çdo ditë duhet të jetë e të gjithëve, por në të vërtetë jemi ne gratë të parat që vetëdiskriminohemi. Dhe OJQ-të në këtë vend ne lidhje me gruan kanë emra viktimizues kryesisht, e jo parandalues ndaj pabarazisë që ushtrohet në nivel familjar, në karrierë, e në pjesmarrjen e jetës politike.
Sa për dhunën atë e shohim çdo ditë të materializuar e të shfaqur në kronikat e zeza , në përgjithësi shohim çdo ditë se si denoncimi: ose mungon, ose nuk mungon por stivoset me një deklaratë në polici ose tërhiqet nga vetë viktima nën presion familjar e social!
Ndërkohë dhe media ka atë fajin e vet në këtë mes, po ti lexoni gazetat përtej promovimit të maskilizmit, femrat nëse janë të pranishme në brendesi të faqeve apo spektakleve në mediat vizuale, janë kryesisht të pasqyruara ose si viktima ( kronikat e zeza) ose si këngëtare, ose si modele.
Modeli që duhej të promovohej nga vetë media është ai frymëzues ndaj femres, ku i lihet nje hapsirë e duhur shembujve pozitive që sjellin në fusha të caktuara. Pasqyrimi i pak më pak meshkujve, dhe femrave te mashkullizuara në politike, do i bënte më mire shërbim qasjes ndaj nje zvogëlimi të pabarazisë gjinore në këtë shoqëri! Ndërkohë un nuk ju uroj gezuar .. por uroj qe te rrisni vetbesim tek vetja juaj dhe te ngrini zerin duke sfiduar friken!
Shënim: Në protestën e organizuar sot perballe KQZ-së nga KOALICIONI PËR NXITJEN E PJESËMARRJES SË GRAVE DHE TË RINJVE NË POLITIKË, ku dhe unë mora pjesë duke blere bilbilin tim , mblodhi 20 persona, ndërkohë matanë portës së hekurt politikanët qeshnin …sigurisht jemi për tu qeshur. Nga ana tjetër e pallatit të kongreseve PD-ja kishte organizuar aktivitetin e vet për këtë ditë, sigurisht gratë e veshura në mënyre elegante e të pispillosura ishin shume më në numër (pa u futur brenda , duke parë vetëm ato që ishin në hyrje).

Foto nga Edvin Pacara pjesmarrës në protestë.

Monday, March 4, 2013

Sa kushtojnë vijat e bardha?

Është një rruge këtu pranë komunes së Parisit e cila u shtrua 2 javë para zgjedhjeve lokale të fundit nga Edi Rama . Kuptohen keto lloj investimesh apo jo, lëvizje fast junk food ku investimet publike bëhen për qëllime elektorale dhe ku sigurisht në të ardhmen do të ri -investohet në të pasi kemi të bëjmë me një produkt që bëhet si buka në mikrovale, me shpejtësi marramendëse dhe pa standarte. Por ndërkohë që e kuptoj se standartet e kushtueshme shkojnë në harmoni me lëvizjet politike alla shqiptare nuk e kuptoj përse kaq shumë kushtokan vijat e bardhe apo e thënë ndryshe ato zebër.
Un jam miope, dhe daltonike ndaj nuk shoh mirë, megjithatë mundohem të jem reaguese në këtë shoqëri apatike me keto aftësi që kam. Por sistemi që kemi krijuar të zhyt e të tret derisa bëhesh pjese e tij me një mënyrë subkoshiente. Kështu ndodhi para disa kohësh në rrugën ku nuk ka vija të bardha u mundova të kaloja nga një kah (trotuar) tek tjetri , nga ana e djathte po vinte një makinë që sigurisht e kalonte normën e shpejtësisë urbane, i ra borisë aq fort sa u shtanga, instiktivisht i kërkova falje , por më tej ndërsa po vijoja itinerarin tim në ato ecjet e ngadalta e reflektive i thashë vetes : Po përse duhej ti kërkoje falje ti? A nuk duhej te kishe prioritet si këmbësore në një rrugë ku nuk ka vija zeber ? E pra lexues, miq apo thjesht të njohur, kolegë apo thjesht ndjekës dua ti them Lulëzim Bashës se nëse nuk vihen vijat e bardha brenda Marsit tek kjo rruge që ndodhet afër një stadiumi te vogël këtu tek Komuna e Parisit do mundohem të gjej gëlqere dhe ti bej vete keto viza në formë njolle të paktën në shenjë proteste!

Thursday, February 7, 2013

Partitë me arna!

A ju ka ndodhur të keni të bëni me tubacione difektoze, me të çara, vrima, të cilat çojnë dëm ujin, me lidhje elektrike të vjedhura, ku energjia që presupozohej të merrje nuk vjen në intensitetin e duhur meqë komshiu të vjedh? Ja, kështu më ngjan marrëdhënia mes klasës politike shqiptare dhe asaj thuajse mosekzistente shoqëri civile.

Kur aktorët, këngëtarët, sportistët apo artistë të ndryshëm i bashkohen një partie, aktiviteti i tyre profesional nuk ka përse të rrezikojë një ngjyrosje partiake apo të shuhet por kur janë gazetarët që njihen për qasjen e tyre kritike, personazhe të shoqërisë civile që njiheshin për reagimet e tyre konstruktive, këtu kemi të bëjmë me atë që ne Anglisht e quajnë brain waste, pra humbje e këtyre kapaciteteve për tërë shoqërinë. Energjia e këtyre kapaciteteve në më të mirën e mundshme mund të shndërrohet apo transformohet në një tjetër kanal energjish sikurse ndjekja e qëllimit të monarkëve të partive .. Kjo lëvizje mund t’i sjellë përfitime reale opozitës por njëkohësisht dëmton rëndë atë kapilar të një sistemi demokratik i cili në vendin tonë mbetet në embrion e që quhet Media e lirë dhe Shoqëri civile.

Efekti PD

PD është treguar më strategjike në marketing, jemi me fat që merr këngëtare e aktore. Lidershipi i menaxhuar mes servilizmit flet bukur fare . Këtu janë bërë kandidatet femra më burra se burrat, mjafton të shohim diskursin politik të Topallit, Dodes, Bregut. Përjashtim bën Lajla Pernaska, por mbase për këtë arsye ajo nuk ftohet aq shumë tek “Opinion” dhe mbase për këtë nuk do jetë asnjeherë as ministre e as kryetare parlamenti. Realisht mënyra e menaxhimit të PD-së duhet të bëhet case study (çështje perfekte studimore). Po na la “i madhërishmi”, partia ikën bashkë me të… duhet të presim ndonjë mauzole brenda Tiranës. Megjithatë, duhet ta falënderojmë, nuk i ka afruar me të njëjtin intensitet ato pak materie të shoqërisë civile e medias, ky i afron në mënyrë disi më indirekte, i bën ushtarë pra, le të mbajnë profesionin dhe statusin, por të flasin mirë për të. Rasti Fevziu, Balliu (ky me bën të qesh fare), A. Hoxha janë tregues shembullorë të kësaj praktike pune.

Efekti PS

Sikur rilindja të ishte vërtet e tillë, E. Rama bashkë me asistentët e tij të kryesisë së PS-së, do të kishte gjeneruar rilindje nga brenda partisë, demokraci nga brenda, por e vërteta flet ndryshe, ‘mjaftistët’ që iu bashkuan bashkë me një pjesë te mirë të disa anëtarëve të shoqërisë civile do të kishin sjellë një nivel më të lartë demokracie aty brenda, por e vërteta qëndron se një futje e re vetëm do t’i përshtatet atmosferës konkrete, e nuk do mund të sjellë ndryshim. Kështu ndodh dhe me këto hyrjet e reja të medias (se tejet varur) nesër nuk do mund të shprehin dot kundërshtime ndaj PS. Sigurisht, për te larë gojën mund të kemi ndonjë shfaqje alla Erjon Braçe sa për të treguar se ka një nivel minimal demokracie brenda mureve.

Efekti LSI

Nën moton “Unë do ta gjej një vend pune se s’bën” Kjo është mënyra e tyre për të komunikuar…! I bëjnë mirë llogaritë, zgjedhin dhe këta nga Shoqëria civile tek tuk por duhet te kenë sharm ata që zgjidhen, megjithatë prurjet e reja i fokusojnë tek arsyeja e të qenit direkt nga populli kështu ia ofrojnë bigbradhersat, pragmatizëm sfidues për të marrë vota!
Megjithatë shoqëria civile në këtë vend njeh hemorragjinë më konstante. E para për vetë specifikën kërkonte kohën e saj të formësimit, e cila duhej të shkonte paralel me tranzicionin drejt një vije disi lineare, për fat të keq ndodh e kundërta. Ata pak që janë formuar e trajnuar me fondet e BE-se shkojnë për të mbyllur vrimat e partive kujt më shumë e kujt më pak, e keqja reale është se në nivel personal e mbyllin thuajse tërësisht misionin që duhej të kishin ndaj shoqërisë, hapen karrierisisht marrin mbase ndonjë post, ndërkohë që në nivel më te gjerë social vijon mos krijimi i një baze të shëndetshme për shoqërinë civile.

Edhe njëherë “ejvallah politika!”

Sunday, January 13, 2013

Rest in Peace Aaron Swartz

Nuk e njihja Aaron Swartz, jo sepse nuk me kane interesuar idete qe ai mbronte, por sepse ne kete mal informacioni te pafiltruar qe na perplaset cdo dite ne mendjet tona nepermjet medias multidimensionale (asaj vizive, te printuar,online, dhe me se fundmi rrjetet sociale) ka shume llum. Vizualisht njemije here I kam thene vetes sa shume I urrej keto informacionet per te cilat nuk kam kurrfare interesi e qe per me teper me rishfaqen pa marre leje, te marrin kohe e cila mund te ishte kaluar ne menyre me te cmuar. Perpos kesaj jetojme ne nje kohe ku shkelqejne me shume boshlleqet se sa ata qe kane realisht per te dhene e mesuar prej tyre. Me shume shkelqen nje kengetare qe eshte xhveshur mire sesa nje studiuese, me shume merr like nje BB-ist qe ka shitur ca dite jete ne publik sesa nje person qe ka ideuar dhe performuar progress per te stimuluar shoqerine. Nuk dua ti bej lajka Aaron Swartz it pasi po e njoh fale vdekjes se tij, por nderkohe qe cdo humbje njerezore eshte humbje , kur humbasin njerez si Aron qe guxuan te sfidojne per nje te mire publike ne interes shume te gjere si ajo e aksesit falas tek informacioni tek dija, humbja behet eksponenciale, jo vetem per shoqerine Amerikane por per ate mbare boterore. Debati mbi teknologjine dhe etiken ligjore eshte ne fillesat e saj, teknologjia ecen me hapa shume me gjigante sesa ajo e adaptuesve e politikave ligjore ndaj saj, ndjej se do te kete keshtu gjithmone, por aktualisht ky boshllek eshte shume I gjere, kombinuar me vete anen e erret te asaj qe ne e quajme drejtesi. Aron ishte depresiv, u vetvar sipas mediave, megjithate ky flijim nuk e shpeton nga pafajesia kontekstin ligjor qe e rrethoi dhe qe kerkoi ta burgoste per te pakten 35 vjet. Lamtumire mendje e bukur, lamtumire aktivist,lamtumire idealist
disa njerez jetojne pak por I japin me shume kesaj shoqerie se sa shume te tjere qe kane jetuar shume, ti ke lene gjurme, faleminderit!

Friday, January 11, 2013

Lot krokodili!

Është vërtet ironike dhe irrituese të shikosh se si Sali Berisha, kryeministri i këtij vendi, krenohet me ndjeshmërinë që paska kundrejt paraplegjikëve, tetraplegjikëve e të verbërve apo e thënë ndryshe ndaj atyre me aftësi të kufizuara, ndërkohë si kryeministër i këtij vendi i ka burgosur për së gjalli. Shumica e këtyre paraplegjikëve, tetraplegjikëve, dhe të verbërve nuk janë më me aftësi të kufizuara sepse nuk kane as shansin me të vogël në këtë vend që të jenë të tillë. Ata janë totalisht të izoluar nga jeta sociale,edukative e administrative. Të afërmit e tyre në rastin më të mirë arrijnë tu bëhen ndihmës infermierë e tua lehtësojnë disi jetën por dhe në këtë anë, në mundësinë me optimale kjo kategori sociale qëndron e përjashtuar nga vetë shoqëria, e nëse përkundrejt dëshirës së mirë për të qenë të pranishëm dhe në ndonjë aktivitet normal ata sërish do e bëjnë këtë përkundrejt një poshtërimi të dinjitetit te tyre pasi do të duhet te kenë kryefjale “faleminderit” në çdo lëvizje që ata mund të bëjnë. Nga pikëpamja administrative: Edhe të marrësh një certifikatë në gjendjen civile për dike që ndodhet në karrigen me rrota është e pamundur ngjitja nëpërmjet shkallëve, për një person me aftësi të kufizuara shkallët janë vërtet vrastare. Kombinimi alla-shqiptar i transformimit në zyra të pallateve, ku asnjëherë nuk kanë ekzistuar rampat apo ashensorët, bashkë me moskokëçarjen tradicionalisht ndaj kësaj shtrese të shoqërisë, i jep një personi me aftësi të kufizuara një shuplake të detyrueshme për tu mbajtur mend. Sa per aksesin tek mjetet e transportit te perbashket urban, prania e kondicionereve eshte tallje me vete per kete klase qe nuk ka as shansin me te vogel te mund ta perdore me dinjitet kete sherbim! Spitalet: E njëjta situatë edhe në rastet kur mund të ketë ashensor në brendësi, në hyrje ka gjithmonë shkallë. Shkollat: Këtu kemi qershinë mbi tortë, pasi bëhet fjalë për foltoret e të ardhmes. Në praktike duket qartë se nuk stimulohet kurrsesi respekti ndaj kësaj klasë të shoqërisë sonë, përkundrazi diskriminimi sado pasiv e bën të pamundur qoftë dhe nuancën e shpresës për të nesërmen. Po e lëmë mënjanë mungesën e shkollimit të avancuar për këtë kategori e cila për më tepër minimizion dhe më shumë shanset për tu punësuar dhe përjashton krejtësisht mundësinë në pjesëmarrjen në një mënyrë aktive në jetën politike. Ana kulturore Një person me aftësi të kufizuara duhet ta harroje (apo mos e njohë fare) teatrin, operën, pse jo dhe prezantimin e ndonjë libri që organizojnë shtëpitë e njohura botuese apo nëse lokali apo ambienti ku zgjidhet është në kat të dytë. Sa për televizionin akoma kanalet e njohura si Top-Channel apo Klan, e kanë të pamundur të gjejnë dikë qe flet me gjuhën e shenjave edhe pse arrijnë të investojnë miliona në spektaklet që ofrojnë. Sa për pushimet verore kjo kategori duhet të ëndërroje akoma për shumë e shumë vite. Të vetmet hotele që kanë menduar për ketë kategori janë tre, dhe këta brenda Tiranës. Ndaj, i bëj thirrje qeverisë që përpara patetizmit që shprehin në rrjetet sociale, të marrin masa konkrete, të gjobiten ato biznese të industrisë së ndërtimit që nuk praktikojnë standardet lehtësuese për këtë kategori. Ministria e Punëve Publike dhe e Transportit të jetë e para që ato pseudo kthimet në trotuare ti bëjë siç duhet e të përfshijë në mënyre me strikte në axhendat e ardhshme të projekteve që ka standardet e duhura. I bëj thirrje dhe vetë individëve me aftësi të kufizuare që të organizohen dhe të reagojnë me ato mundësi që kanë pasi jetonjnë një shtet ku ju kanë kthyer në individë jo më me aftësi të kufizuara por totalisht të burgosur! Ndërsa kryeministrit i them qe kur “flet” me servilët apo militantët e tij realisht i bie që flet me veten. Ja pra kulmi i kulmit, një media sociale e nivelit të “komunikimit me publikun” që përdoret për të “folur me veten”! Botuar me 11/01/2013 Tirana Observer

Sunday, October 14, 2012

Te pakten nje lamtumire dinjitoze

Meqe familja e Aishes paska nderprere morten kur paska marre vesh se viktima ishte shtatzene, pra i paska 'cnderuar', le te bejme ne nje funeral simbolik per Aishen! U prehsh ne paqe engjell qe realisht je vitkime e vete shoqerise qe te rrethoi! Pate fund tragjik ti dhe fetusi qe sigurisht nuk arriti de dale ne jete, por te pakten tani je larg ketij makthi social, larg kercenimit per thashetheme, larg prej veshtrimit grushtues te inatosur e mbase dhunes qe mund te ushtronte vete babai yt mbi ty po te ishe gjalle dhe te kish mesuar per shtatezanine tende. Je larg prej opinionit vrases shqiptar qe dhe ne keto momente te ben ty fajtore nderkohe qe je viktime! Do te ndez nje qiri per ty, jo ne kishe e as ne xhami pasi gjithsesi keto institucione ne kete vend ne pergjithesi nuk te kane mbrojtur perkundrazi jane perdorur si arme zgjatuese e autoritetit te pamerituar mashkullor. Neser ora 6 pasdie do ndez nje qiri per ty ne mes te Tiranes pikerisht tek sheshi Skenderbej perballe Hotel Tiranes . Do jem vetem mbase, por do e bej kete per ty pasi realisht ti je viktima e vete shoqerise tone, ndaj dhe ky akt do jete i thjeshte e civil ne qender te Shqiperise per nje problem qe NUK eshte problem per ne. Ju ftoj dhe ju miqt e mij, por nuk jeni te detyruar. Nderkohe nuk ju garantoj pranine e medias e nuk kerkoj protagonizem ! Kush deshiron te vije te beje kete gjest neser prane meje eshte i mirseardhur! Te pakten ti bejme ne nje lamtumire kesaj viktime te vrare tashme ne menyren me cnjerezore si nga dhunuesi dhe nga vete familja! Un jam individ qe dua te reagoj, nuk jam shoqate e nuk jam pjese e ndonje klani partiak! Nuk do gjeni nje stive qirinjsh gati ne kete event , ndaj ju lutem blijini vete sikurse do e blej dhe un timin. Mbi te gjitha eja nese vertet e ndjen se duhet te vish , nuk garantoj media te pranishme e as ndonje mundesi pompoziteti. Nuk mund te tolerojme vrasjen e viktimes per here te dyte ndaj ejani ti themi lamtumiren e fundit nje te pafajshmeje qe u be e fajshme nga vete pedofili kriminel, nga vete familja, nga vete shoqeria dhe nga vete institucionet e shtetit qe kete kriminel e kishin lene te lire! Faleminderit serish per mbeshtetjen Erion Kristo! Faleminderit dhe ju qe doni te jeni neser me ne por nuk mundeni, faleminderit dhe ju qe kaloni kufirin e premtimit ne Facebook

Saturday, August 18, 2012

Dhunë, mjerim, injorancë, nder i turpshëm, divorci i shtetit me qytetarin, dhe media që prostituon në kohë krize

Simbolika e ngjarjes së pedofilit Muca me adoleshenten Visha është një tregues I qartë I prishjes së balancave në shoqërinë tonë. Kemi një pedofil që bëhet viktimë, dhe një viktimë që bëhet kriminele e akuzuar tashmë institucionalisht por dhe moralisht. Domethënia reale sjell në pah mjerimin e familjes shqiptare, injorancë dhe mjerimi mentaliteti që ka hedhur degë si një gangrenë. Ngjarje përdhunimesh, vrasje, ngujime, krime në familje, vetvrasje kemi me shumice tashmë. Ato zakonisht etiketohen si ngjarje për motive të dobëta. Duhet të gërmosh pak fare të shohësh se tek keto motivet e dobëta, shpeshhere, qëndron problemi i pazgjidhur i pronës, i asaj vijës së ujit, i asaj rrugës së ndërprerë që i ka dalë pronari, i atij të riut që shkatërron familjen dhe veten nga loja e bixhozit, i atij krimineli që doli nga burgu duke korruptuar prokurorë e gjykatës dhe neser vritet nga qytetari mbi të cilin rëndon shpirtërisht mosdënimi I kriminelit. Por ngjarja Visha - Muca po tërheq më shumë vëmendjen e publikut pasi ka nje jehonë në vetvete, është sa perverse në një shoqëri ku seksi është akoma tabù, aq dhe intensive në rrjedhën që po marrin ‘hetimet’ gazetareske. Kjo ngjarje, në fakt, po prodhon ngjarje te tjera si për shembull ate krenarinë apo nderin në mjerim, po prodhon reagimin e familjes Muca nga tonet morale të asaj ‘kurvës’ adoleshente tek deklarimi I gjakmarrjes duke sfiduar në mënyrë direkte shtetin. Pyes nëse keto deklarime që I kemi dëgjuar kaq shpesh këto kohë po regjistrohen nga organet perkatese te policisë së shtetit duke i shoqëruar këta deklarues te mjerë , por dhe nese ky monitorim bëhet, praktika po tregon gjithnjë e më qartë se institucionet kanë dhënë shpirt me kohë, në lidhje me krimin e mosndëshkimin. Shtetasit e saj sado ti quajmë të mjerë e katunar e kanë kuptuar se nuk ka mënyrë tjetër ndëshkimi. Telenovelat latine filluan të vërshojnë dhe në jetën reale, aty një vetvrasje se e la i dashuri, këtu një deklarim se desh ma mori burrin. Media ndërkohë, një pjesë e madhe saj, sidomos ajo vizuale shet një imazh social ‘wannabe’ , ndërsa shtypi i shkruar ushtron anën mizogjine, duke e vrare dhe njeherë viktimën adoleshente . Sigurisht, në stadin ku ka kaluar kjo ngjarje, është thuajse e pamundur që të mendojmë se as inicialet e adoleshentes nuk duhet të ishin dhënë në media nga vete zëdhënësit e policisë. Media që supozohet të jetë në shërbim të opinionit të gjerë publik sigurisht që për të qenë etike do të kufizohej tek ngjarja e jo tek identiteti i viktimes reale. Në lidhje me imazhin “wannabe” është krijuar qartë disniveli i frikshëm në raportin realitet - model social i promovuar. Sot, vlerë për një femër është fuqia e joshjes, bukuria mbi të gjitha. Nuk do të habitesha nëse ka shumë adoleshente, edhe në zonat më të varfra, ku kursehet në të ngrënë për të investuar në bukuri. Mjerimi dhe varfëria janë motër e vëlla. Mbase, nëse Muca do të kishte pasur më shume financa, do të ndërtonte poligamine në mënyre “etike” dhe ngjarja që po komentoj nuk do te kishte ndodhur, do të varroste pergjithmonë të kaluarën e tij prej pedofili, dhe viktima tjetër, që është viktimë e vetë sistemit social që kemi ndërtuar me bekimin nga lart, do të kalonte ne fazën tjetër të telenovelës latine allashqiptare. Por nje pedofil I varfër guxoi të bënte ate që bëjne të pasurit e sotëm me shumicë, të kesh një dashnore është në modë. Sa e sa studente ‘mirëmbahen’ nga I I dashuri biznesmen! Nga ana tjetër, kemi akoma një detaj pikant që ka të bëjë pikërisht me viktimën e vërtetë, e cila nuk duhet të guxojë të shprehet në familje se u përdhunua, është turp të jesh viktimë veçanëerisht e një përdhunimi nëse je femër, kjo është ndjesi e brendshme e viktimës, ndonjë kërcënim I mundshëm se po foli do bëhet nami thjesht lëmon derën e një vendimi të marrë në heshtje tashmë nga vetë viktima. Pasqyra që na ofrohet në këtë kontekst është ajo e pasojave eksponenciale të krijuara nga qeveritë e mëparshme dhe të tanishme, vetëm se tani u poqën mire frutat dhe po bien në tokë një nga një. Mungesa e investimit të duhur në arsim, në mbështetjen sociale, në mosfunksionimin e drejtesise, kombinuar ketu me vete antivlerat që marketohen nga lart poshtë dhe rritjen e varfërisë bashkë me rezonancat e krizës financiare nga jasht- brenda do na bëjë dëshmitarë të heshtur te kushedi sa e sa krimeve të tjera. Kishim një luftë gati civile në nivel makro në 1997, tani i erdhi koha kësaj luftes në familje, tek qelizat e vetë shoqërisë nivel mikro ky , shteti serish mund të bëjë sehir sepse është i larë sidomos kësaj radhe