Thursday, October 15, 2009

Deliri i politikës shqiptare

Nuk kam njohur njeri më punëtor e më të drejtë sesa babai im. E megjithatë më kujtohet kaq mirë periudha e 96-ës ku po lulëzonin piramidat financiare shqiptare, me kujtohet sesi babai im habitej me te afërmit e mi qe ”investonin” tek Xhaverri, Sudja, etj., dhe që pas një muaji merrnin nga 50% deri në 100% të shumës së stivosur në këto pseudo-institucione financiare. Kjo ishte tema e vetme e bisedimeve familjare të afërmit që i thoshin babait:

Po ti pse nuk i ke futur lekët aty, unë dalëngadalë do ble shtëpi, por babai im besonte se ishte vetëm puna ajo që të bën të fitosh para, dhe megjithëse realiteti moral ndaj asaj që quhet relacion punë-para po përmbysej sërish, babai im nuk dorëzohej dhe nuk i fuste paratë në këto gangrena financiare. Por ja që më në fund ose më saktë para fundit të fundit, deliri kishte kaluar caqet dhe të gjithë po ushtronin trysni ndaj babait tim që dhe ai t’i fuste ato pak milionë lekë që kishte në këto “banka”. Më në fund kjo ndodhi, dhe pikërisht besoj se babai im ishte ndër të fundit e mohikanëve të asaj kohe, ishte pikërisht ndër ata që humbën me H të madhe.


Ne fakt, kjo shoqëri e sotme shqiptare, gjatë tranzicionit të pafundmë 20-vjeçar, ka një detaj që e ka shoqëruar në mënyrë konstante. Ky detaj e ka emrin shkrirja mes asaj që quhet vlere dhe antivlerë. Një miksim i çuditshëm, shumë herë më shumë i pakuptueshëm sesa i kuptueshëm, pikërisht sepse ky detaj ka veshur më së miri ata që sot përfshihen në këtë klasë politike. Një makiavelizëm i pafund që duket sikur është lexuar më së miri nga liderët tanë.

Kështu nuk arrij të kuptoj mishmashin e krizës së padeklaruar në PS, kur them të padeklaruar nënkuptoj mënyrën se si funksionon ky institucion politik, kjo sepse ndërkohë që kemi një kod zgjedhor të sugjeruar nga vetë kjo forcë politike ku qartazi shkruhet se mund të kërkohet pavlefshmëria e zgjedhjeve, përkatësisht Neni 160 pika 2,3,4:
2. “Subjektet zgjedhore, brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit nga KQZ-ja ose, sipas rastit, KZAZ-ja, kanë të drejtë të kërkojnë në KQZ shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi.
3. Kërkesa për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve duhet të përmbajë shkaqet ligjore, përshkrimin e rasteve të shkeljeve dhe arsyetimin e detajuar për pasojën e tyre.”

Opozita shqiptare ka zgjedhur bojkotin me arsyetimin e moshapjes së disa kutive të votave të shqiptarëve që mbahen me të padrejtë të hapura të paktën sipas tyre. Por a është bojkoti zgjedhja e duhur, a është ky reagim politik mënyra e duhur për të bërë opozitë? Ajo që është më revoltuese, është se pikërisht kjo parti që pretendon se lufton për votat e shqiptarëve që ato të lexohen, në zgjedhjet për kryetarin e “ri“ të saj, i hodhi poshtë të gjitha këto standarde. Dhe shifra 93% u duk se ishte perdja më e qartë që na lidh me mentalitetin e autarkisë. Me mentalitetin e sistemeve politike më të prapambetura në botë. Jam e sigurt që ky detaj që vetëm i tillë nuk është, në lidhje me demokratizimin e PS-së është vënë re nga shumë, por nuk është ky detaj që më shqetëson aq sa me bën të tillë detaji plotësues, e thënë më qartë mbështetja e verbër që po i japin kësaj praktike figura të njohura të skenës publike shqiptare. Përmend këtu ish-presidentët, përkatësisht Mejdani e Moisiu, e pse jo dhe mbështetja Zapatteriane matanë Mesdheut. Përmend këtu dhe ata që pretendojnë se janë e ardhmja e standardeve të reja në politikën Shqiptare si rasti i G99-ës.
Sërish filozofia e dekorit plotësues mbështetës është bardh e zi. Domethënë meqenëse jemi kundër do të përqafojmë aleatin tonë të tej mëkatues vetëm e vetëm se dhe ai është kundër.
Ky fenomen pseudoidealist që sërish vetëm idealist nuk është, po krijon dy pasoja shumë të thella. E para është se vetë opozita po bëhet qesharake, dhe e dyta është se nuk po bëhet Opozitë, efekti kryesor është se tani pozita mund të hedhë valle, riciklimi i figurave politike që sigurisht nuk duheshin të ishin pjesë e asaj qeverie, tanimë nuk përbën problematikë për PS-në. E mbi të gjitha ndryshimi me politikën e kalbur aq shumë të reklamuar nga PS-ja është bërë pjesë e ekosistemit të vetë kësaj politike të kalbur. Në realitet, përtej së djathtës e të majtës po shkon në një humnerë reale, ku humbësi më i madh do të jetë vetë kjo parti. Në një vend si i yni, ky lloj fenomeni po bëhet traditë dhe aty ku ka traditë negative nuk mund të pritet përparim apo progres. Në fakt, kjo traditë është pikërisht miksimi i çuditshëm që ndërkohë që më lart e quaja një përzierje e vlerave me antivlerat tani po merr formën e pastër e puro të antivlerave. Pasojat e tyre do t’i ndjejmë më shumë te e ardhmja e Shqipërisë edhe pse jo G99-iste!

No comments:

Post a Comment